English

"Tregimet e ylberit", ekspozitë nga Fani Zguro

Vlorë, 19 mars, NOA / Milena Selimi - Dy seri me piktura në galerinë "The Promenade Gallery Contemporary Art" në Vlorë, ku Artisti Fani Zguro luan me historinë e artit dhe rizgjimin e të kaluarës.

Aty ku abstraksioni ekspresionist dhe piktura gjeometrike janë aplikuar në një projekt të vetëm dhe elementi i ngjyrës është pjesë determinuese e ciklit.

Kjo, e zgjidhur nga artisti, për të ironizuar edhe njërën prej pikave të manifestit të John Baldessarit, piktura që ka më shumë ngjyrë ka më shumë mundësi në tregun e shitjeve.

Dy seritë në pikturë, që prezantohen në një të vetme sjellin piktura në akrilik dhe telajo. Seria e parë ka për qëllim të reflektojë duke menduar sesi lëvizjet artistike rikthehen në kohë, shpesh duke ricikluar vetveten dhe të njësojta. Ndërsa seria e dytë sjell disa akuarele, të cilat emërtojnë edhe vetë ekspozitën "Tregimet e ylberit".

Artisti shprehet se "Nëse bashkon të gjithë katrorët atëherë ne mund të formësojmë vetë ylberin".

Kjo ekspozitë është një projekt specifik i realizuar posaçërisht për Galerinë "The Promenade Gallery Contemporary Art" në Vlorë, e cila prej disa vitesh drejtohet nga artisti i njohur, Artan Shabani.

n.e/NOA

KOMENTE