Tiranë, 19 mars, NOA - Ishte si i droguar, por çuditërisht aspak i dhunshëm dhe xhentil, duke i lejuar vetes madje që në ato pak minuta të pengmarrjes t'i tregonte asaj edhe foton e të dashurës...
Këto detaje ka dhënë përmes një rrëfimi për "Ora News", tashmë me nota të qeta dhe jashtë tensionit që përjetoi në momentet e mesditës, Lori Atellari, vajza 19-vjeçare nga Skrapari që u mor peng në mes të Tiranës nga një 25-vjeçar që vodhi një bankë.
"Ka qenë ora rreth 12.00 dhe në ato momente ndodhesha në BKT", ka nisur rrëfimin e detajeve të ngjarjes, studentja e fakultetit Juridik në Tiranë.
Duke vijuar më pas se kur doli që aty, një person "i vuri pistoletën në kokë" dhe i tha t'i mbante dorën e ta shoqëronte.
Por ajo që ka qenë e çuditshme në rrëfimin e saj, është fakti se ka pohuar që djaloshi ishte i qetë, madje edhe i sjellshëm me të.
"Unë vetë isha shumë konfuze, ndërsa djali nuk ishte i dhunshëm, madje ishte i qetë. Ai gjithë kohës më thoshte: Mos ki merak, nuk të vras unë ty, por bëj kastile për policët", tregon vajza.
Duke vijuar se më pas, të dy në ato pak muçita të ecjes së përbashkët në mjediset rreth Presidencës, janë ulur në shkallët e supermarketit Euromax që ndodhet aty pranë dhe "folën qetësisht".
"Më tregoi edhe fotografinë e të dashurës së tij, e cila ishte rreth 25 vjeç sa ai vetë", thotë Lori.
Por nuk e fsheh faktin se përtej qetësisë në dukje të djaloshit që e mbante peng në lidhje me të, nga ana tjetër fshihej edhe një nervozizëm i madh kundrejt reagimeve të forcave të policisë.
"Me mua shumë i qetë, por me policinë shumë i acaruar. Rrugës më tregonte se kishte bërë edhe shumë krime në Amerikë. Më pas kërkoi dy redbull, madje ma bëri edhe Gëzuar", tregon studentja e Juridikut.
Në fund, ajo ka dhënë edhe një detaj interesant, siç është ai i lejimit nga ana e agresorit të faktit që ajo mund të fliste në telefon me kë të donte në ato momente, dhe realisht, ajo arriti të fliste me shoqen e saj, me të cilën në fakt kishte lënë takim për kafe në atë orë dhe duhej të takoheshin.
Lori e mbylli rrëfimin e saj mbi ngjarjen në fjalë, duke pohuar se gjatë gjithë kohës, djaloshi 25-vjeçar Romeo Leka, i thoshte fjalët "Nuk të bëj gjë", "Mos ki frikë", "Ti je shpëtimtarja ime".
"Gjithçka e përballova me shumë qetësi. Dhe u them gjithë të rinjve që t'i përballojnë me qetësi situatat", ka përfunduar Lori.
n.e/NOA