Tiranë, 19 mars, NOA - Me afrimin e zgjedhjeve lokale të vitit 2011, shoqëria civile dhe diplomatë të huaj ndjehen të shqetësuar për përdorimin e administratës në fushata zgjedhore dhe pas saj.
Ky shqetësim vjen pas rezultateve të monitorimit të kryer nga Grupi shqiptar i të Drejtave të Njeriut, i cili ka nxjerrë disa konkluzione, ku thelbësore janë shkeljet e disa ligjeve dhe të drejtave të njeriut që ndodhin në çdo fushatë zgjedhore.
Sipas kryetares së këtij grupimi, Elsa Ballauri, gjatë fushatës zgjedhore të vitit të shkuar nëpunësit e administratës u përdorën politikisht dhe disa rrezikuan deri dhe punën në rastet kur kundërshtuan presionin.
Konstatimet u mbështetën dhe nga ambasadori gjerman në Tiranë, qeveria e të cilit ka financuar projektin e GSHD.
Ambasadori gjerman në Tiranë, Bernd Bochardt ka pohuar se gjatë periudhës së zgjedhjeve dhe pas saj, nxënës studentë dhe nëpunës të administratës janë përdorur nga politika.
"Ka pasur udhëzime që u jepeshin punonjësve të shërbimit publik për pjesëmarrje në aktivitetet private. Ka pasur pushime nga puna të njerëzve të cilët kanë refuzuar ta bëjnë këtë. Ka pasur presion mbi bizneset private në mënyrë që ato të financonin partitë politike, fushatën e tyre dhe pjesëmarrjen në fushatë dhe ato që nuk pranuan u bënë më pas objekt i kontrollit të organeve tatimore. Këto janë konkluzione tejet kritike dhe në këtë pikë, unë do doja të theksoja me forcë se kjo kritikë nuk i drejtohet një partie të veçantë po gjithë pushtetarëve në nivel qendror dhe lokal", u shpreh Borchardt.
Ambasadori gjerman i ka kërkuar politikës të eliminojë këto praktika, sepse nuk janë të denja për një shtet demokratik që është i anëtarësuar në NATO dhe aspiron të integrohet në bashkimin evropian.
"I bëj thirrje këtu parlamentit shqiptar dhe qeverisë shqiptare që të marrë masat e nevojshme që këto praktika të eliminohen në kohën e duhur para zgjedhjeve lokale të ardhshme, jam i bindur që këto praktika s'janë të denja për Shqipërinë", theksoi Borchardt.
b.a/NOA