English

Droga e zbuluar në Kakome, po nisej drejt Italisë

Sarandë, 20 Mars NOA Update - Një sasi e madhe lënde narkotike është zbuluar mbrëmjen e sotme në jugun e vendit por persona të arrestuar ende nuk ka, informon korrespondenti i agjencisë NOA.

Bëhet e ditur se në vendin e quajtur Gjiri i Kakomesë, një furgon me targa të Vlorës VL 6394 B, është konstatuar të kryejë lëvizje të dyshimtë.

Ndjekja policore ka bërë që shoferi dhe një person i dytë që gjendej në automjet, të braktisnin atë dhe të largoheshin me shpejtësi nëpër fshatrat përreth.

"Ne kemi identifikuar tre persona si të dyshuar në përfshirjen e trafikut të drogës të cilët janë njëri nga Saranda, një tjetër nga Lazarati dhe një nga Vlora", - i than agjencisë NOA një burim zyrtar policor në komisariatin e Sarandës.

Paraprakisht policia thotë se droga e gjetur në furgon, është në sasi prej 700 kg deri në rreth një ton dhe është e llojit marijuanë. Destinacioni i lëndës narkotike ishte Italia dhe dyshohet se furgoni do të lëshonte sasinë e drogës në zonën e pyllëzuar të Kakomesë me qëllim që më pas të tërhiqej nga një skaf apo gomone për t'u nisur nga deti.

Burime jozyrtare flasin për përfshirjen në këtë ngjarje edhe të një skafi por zyrtarisht nuk konfirmohet lëvizja e një mjeti lundrues, e lidhur me drogën që u kap në furgonin e braktisur.

a.b/NOA. Vijon...

KOMENTE