English

Mbyllet aktiviteti "Poezia e Verës"

Tiranë, 20 mars, NOA - Në kuadër të stinës së evenimenteve "Italia dhe Shqipëria 2010 - dy Popuj, një Det, një Miqësi", organizuar nga ambasada e Italisë në Tiranë, nga data 16 deri më 20 mars 2010 në Tiranë, Berat, Durrës dhe Shkodër, u zhvillua eventi "Poezia e Verës", eveniment tregtar-promocional, i promovuar nga Shoqata Kulturore "Syri Blu", "Poeteka" dhe "La casa nel cuore" dhe me mbështetjen e ministrisë së Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit.

Ky aktivitet i rëndësishëm u hap të martën në 16 mars me praninë e ambasadorit të Italisë Saba D'Elia duke vazhduar më pas me praninë e personaliteteve të tjera të ambasadës Italiane, por dhe të konsullatave në Vlorë e Shkodër të cilët evidentuan urat e bashkëpunimit dhe të prezencës italiane në vite në territorin e Shqipërisë si dhe perspektivat e reja që ravijëzohen në kuadër të integrimit europian të Shqipërisë.

Pas lëvizjes së këtij aktiviteti në Berat, Durrës e Shkodër dita finale e tij u kurorëzua dhe me një konference mbi verën dhe tregtimin e saj, e organizuar kjo nga Instituti për Tregëtinë e Jashtme i Ambasadës Italiane në Tirane.

Në mbyllje të këtij aktiviteti sot, ministri Genc Ruli i cili gjeti rastin për të falënderuar Italinë për mbështetjen në fushën e bujqësisë në përgjithësi dhe atë të vreshtave në veçanti.

Përgjatë këtij eventi, i cili mblodhi rreth "buteve" të verës, poezisë e pikturës me qindra e qindra qytetarë të Tiranë, Durrësit, Beratit dhe Shkodrës u realizua një nga objektivat kryesore të tij: fuqizimi i urave të komunikimit mes kulturave italiane e shqiptare, duke u bërë kështu një model i zhvillimeve të mëtejshme në fusha të ngjashme si dhe demonstroi forcën që aktivitete të tilla, të kombinuara apo hibride arrijnë të koagulojnë në hapësirat e ndërsjellta të bashkëveprimit.

n.e/NOA

KOMENTE