English

Padia e Ndokës, Berisha pranon kushtin e pajtimit

Tiranë, 20 mars, NOA - Pajtim, dëmshpërblim 1 Euro si edhe ndjesë publike për akuzat e lëshuara publikisht ndaj tij.

Kështu duket se ka për të përfunduar konflikti gjyqësor i hapur mes kryeministrit Sali Berisha dhe ish-ministrit Nard Ndoka në gjykatën e Tiranës, mbi akuzat e rënda publike të të parit ndaj ish-vartësit të tij për "lidhje me lejet korruptive të ndërtimit".

Lajmi konfirmohet posaçërisht për agjencinë e Lajmeve NOA nga burime pranë trupit gjykues të çështjes në fjalë, i cili drejtohet nga gjyqtarja Regleta Panajoti, që ka zhvilluar dje një seancë rreth saj, ndërsa bën me dijeni se seanca e radhës do të mbahet më 30 prill, ora 12.30.

Sipas të dhënave, kryedemokristiani Nard Ndoka ka bërë një padi për shlyerje dëmi jo pasuror ndaj kryeministrit Berisha, në lidhje me akuzat që ky i fundit i ka bërë publikisht pak kohë më parë si i lidhur me "mafian e korruptuar të ndërtimit në kryeqytet".

Ndërkaq, në seancën e djeshme, avokati i Ndokës në prani edhe të avokatit të kryeministrit, ka paraqitur kërkesën që çështja në fjalë të zgjidhet me pajtim si edhe ndjesë publike prej këtij të fundit.

Bëhet me dijeni se nga ana e tij, përfaqësuesi i kryeministrit e ka pranuar një gjë të tillë, e pas tij, edhe gjyqtarja e çështjes, e cila ka vendosur për pranimin e kërkesës së palëve në gjykatë për pajtim.

Kryeministri Sali Berisha drejtoi akuza të rënda para pak javësh në adresë të Bashkisë së Tiranës dhe biznesmenëve të ndërtimit me një gjuhë të ashpër, duke përfunduar deri në fyerje personale.

Ndërsa me nofkën "Nard Konstruktori", duke e listuar me emra të tjerë biznesmenësh, ai e akuzoi kreun e Partisë Demokristiane për "veprimtari mafioze të mirëfilltë".

Lidhur me këto akuza, Ndoka depozitoi në gjykatën e Tiranës një padi civile ndaj kryeministrit të vendit, duke kërkuar dëmshpërblim si edhe një ndjesë publike nga ana e kryeministrit, si masë që pretendon të përfitojë nga akuzat e pabaza që i janë adresuar.

Ndërkaq, të akuzuar të tjerë publikisht që kanë paditur kryeministrin Berisha në gjykatën e Tiranës, janë edhe biznesmeni Koço Kokëdhima, Bashkia e Tiranës, biznesmeni Ilir Mata etj.

n.e/NOA

KOMENTE