English

Partitë shqiptare i frikësohen njëra-tjetrës

Shkup, 20 mars, NOA - Partitë politike shqiptare ende nuk po arrijnë të hartojnë një platformë të përbashkët para skadimit të afatit gjashtëmujor të dhënë nga bashkësia ndërkombëtare për zgjidhjen e kontestit të emrit dhe zhbllokimin e procesit të integrimit të vendit në BE dhe NATO.

Skena politike shqiptare po vijon me përçarjet e theksuara dhe akuzat e ndërsjella.

Analistët politik gjithashtu vlerësojnë se partitë politike më shumë po humbin energji duke u marrë mes vete, sesa me agjendën, të cilën e ka përpara Maqedonia. Sipas tyre, një dukuri e tillë po ndodhë sidomos tek partitë opozitare, të cilat janë të përçara skajshmërisht.

Analisti Mersel Bilalli vërteton përçarjen e theksuar të spektrit politik shqiptar dhe mungesën e tyre për ndonjë unitet serioz. "Nuk jam shumë i bindur se mund të ketë diçka të tillë rreth unifikimit të faktorit shqiptar. Mendoj se shqiptarët janë shumë të rëndësishëm në këtë udhëkryq dhe ato duhet të krijojnë frontin unik për ndryshimin e emrit dhe për inkuadrim në NATO dhe BE .

Harxhimi i energjisë mes veti mendoj se është shumë i dëmshëm edhe gjithë kohën partitë politike shqiptare humbin energjinë mes veti kurse proceset stagnojnë", vlerëson Bilalli.

Ai përkrahë idenë e formimit të një fronit unik gjithëpartiak midis partive shqiptare për të ushtruar presion për ndryshimin e emrit të Maqedonisë në këtë fazë. Ndërkohë, partitë politike opozitare shumë pak janë të predispozuara të flasin për unitet apo ndonjë nismë të përbashkët midis tyre. "Ideja për një grupim të forcave politike shqiptare në Maqedoni , për një koncept kombëtarë është më se e nevojshme, por edhe e domosdoshme sepse nuk ka tjetër zgjidhje për këto rrethana që gjendemi. Dhe në këtë drejtim tu qasemi problemeve tona , të kemi një koncept. Çështjen tonë nuk mundemi me fjalë ta tejkalojmë por me veprime konkrete", ka theksuar kryetari i BDK-së, Hysni Shaqiri për agjencinë e lajmeve INA, duke mohuar tani për tani ndonjë aleancë apo bashkëpunim me ndonjë parti opozitare, edhe përkundër sipas tij, zërave dhe keqinterpretimeve të ndryshme.

Imer Selmani nga Demokracia e Re pohon se ka komunikim me partitë opozitare shqiptare,

mirëpo sipas tij, është realitet mos-unifikimi për një qëllim të caktuar apo për formimin e ndonjë fronti unik opozitar.

"Nuk ka nja iniciativë të tillë, komunikimet janë shumë normale në mes subjekteve politike dhe shoqatave si dhe të tjerëve, ajo është në dobi të demokracisë", ka theksuar kryetari i DR-së, Imer Selmani.

Edhe partitë e tjera opozitare konfirmojnë mungesën e një uniteti për të zhbllokuar proceset euro-integruese dhe për të qenë një zë më i fuqishëm në skenën politike në Maqedoni.

NOA-INA

KOMENTE