Shqiptarët besojnë fuqishëm në rikthimin e vendit të tyre në familjen e vlerave të përbashkëta europiane, ndaj janë krenarë që projekti madhor kombëtar i anëtarësimit në BE vijon të mbështetet nga mbi 94 përqind e opinionit publik dhe nga të gjitha forcat politike në vend"
Nga Sali Berisha *
"Është një kënaqësi e veçantë për mua të marr pjesë sot, në këtë konferencë, e cila zhvillohet në një çast shumë të rëndësishëm të zhvillimit të marrëdhënieve të vendeve tona me Bashkimin Europian, por edhe të evoluimit të këtij të fundit pas hyrjes në fuqi të Traktatit të Lisbonës. Ndaj, gjej rastin të falënderoj mikpritësit tanë, kryeministrat Kosor dhe Pahor për ftesën dhe organizimin e shkëlqyer të kësaj ngjarje.
Shqipëria përshëndet hyrjen në fuqi të Traktatit të Lisbonës. Ne jemi thellësisht të bindur se ky Traktat do t'i japë një frymëmarrje të re ëndrrës për një Europë të vetme, të bashkuar e të lirë, por do të sjellë, njëkohësisht, një bazë të re ligjore për funksionimin e këtij Unioni dhe një rritje të kapaciteteve integruese të tij për Europën Juglindore.
Gjatë muajve të fundit, rajoni ynë ka hedhur hapa të rëndësishëm përpara, në kuadër të procesit të integrimit në BE e të proceseve të tjera, të lidhura me të, të cilat afrojnë vendet tona në lidhje gjithnjë e më të ngushtë me familjen europiane të vlerave të përbashkëta. U bë propozimi për hapjen e negociatave të anëtarësimit të Maqedonisë në BE dhe u sinjalizua përfundimi i shpejtë i negociatave të anëtarësimit të Kroacisë. Shqipëria e ka në fuqi Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me BE-në. Shqipëria, Mali i Zi dhe Serbia kanë paraqitur kërkesën për anëtarësim dhe ndodhen jo shumë larg njëra - tjetrës në procesin e plotësimit të Pyetësorit. Ndërkohë, janë liberalizuar vizat për Maqedoninë, Serbinë dhe Malin e Zi dhe ne presim që kësaj liste t'i bashkohet së shpejti Shqipëria dhe Bosnjë‑Hercegovina, por edhe Kosova të ketë procesin e saj me një udhërrëfyes konkret.
Ndërkohë, Shqipëria dhe Kroacia u bënë anëtarë të plotë të NATO-s në Samitin e Strasbourg/Kehl-it, në prill 2009, një ngjarje kjo historike për këto dy vende, por edhe mbarë rajonin.
Proceset e integrimit në Bashkimin Europian janë shndërruar në udhërrëfyes real dhe shtysë jashtëzakonisht efikase për reforma e për modernizimin e mëtejshëm të vendeve tona. Ne i konsiderojmë këto reforma jashtëzakonisht dobiprurëse, në radhë të parë, për zhvillimin e vendeve tona e për përmirësimin e standardeve të jetesës së qytetarëve të tyre, ndaj mbështesim përqasjen "progres i bazuar në performancën individuale".
Nga ana tjetër, proceset e integrimit në BE dhe në NATO kanë shërbyer si katalizatorë të fuqishëm në promovimin dhe forcimin e bashkëpunimit rajonal e në transformimin rrënjësor që rajoni ynë ka përjetuar gjatë dekadës së fundit, duke u shndërruar gjithnjë e më shumë, në mjedis paqeje e sigurie. Vendet e rajonit tonë janë të vendosura për të forcuar bashkëpunimin në të gjitha fushat, në kuadrin europian dhe të nismave të sigurisë, por edhe në kuadrin rajonal e atë dypalësh, në interes të paqes e të prosperitetit të secilit vend, si dhe të rajonit, në tërësi.
Në këtë kontekst, jemi mbledhur sot, këtu, për të ripohuar vendosmërinë dhe angazhimin tonë të padiskutueshëm, për të vijuar me procesin e reformave për demokratizim dhe konsolidim të mëtejshëm të standardeve europiane, brenda vendeve tona, po njëkohësisht, për të demonstruar vullnetin tonë të fuqishëm për ta shndërruar realisht Ballkanin Perëndimor në një rajon, ku mbizotëron fryma europiane e bashkëpunimit të gjithanshëm dhe e përpjekjeve të përbashkëta për integrim e prosperitet. Gjej rastin të shpreh mirënjohjen ndaj Bashkimit Europian, institucioneve të tij dhe vendeve anëtarë, për mbështetjen e vazhdueshme që i kanë dhënë vendeve tona dhe rajonit, në përgjithësi, në përpjekjet europianizuese. Në veçanti, dëshiroj të shpreh mirënjohjen ndaj presidencës spanjolle për përkushtimin dhe rëndësinë që i ka kushtuar rajonit tonë dhe perspektivës së tij europiane. Në këtë kontekst, Ministeriali i ardhshëm BE-Ballkani Perëndimor do të jetë një kontribut qartësisht pozitiv, të cilin ne e mbështesim fuqishëm.
Zonja dhe zotërinj,
Shqiptarët besojnë fuqishëm në rikthimin e vendit të tyre në familjen e vlerave të përbashkëta europiane, ndaj janë krenarë që projekti madhor kombëtar i anëtarësimit në BE vijon të mbështetet nga mbi 94 përqind e opinionit publik dhe nga të gjitha forcat politike në vend.
Mbështetur në këtë përkrahje publike, qeveria shqiptare dhe mazhoranca e koalicionit e ndërtoi programin e saj elektoral dhe atë qeverisës për mandatin e dytë, bazuar tërësisht në përparësitë e axhendës së anëtarësimit në BE. Rekomandimet e Progresraportit të Komisionit Europian dhe përparësitë europiane kanë qenë dokumentet bazë udhërrëfyese, ku ne u mbështetëm për hartimin e përparësive të politikës sonë për katër vitet në vijim, ndaj edhe në Shqipëri, ky koalicion njihet gjerësisht si qeveria e integrimit europian.
Më lejoni, të nderuar kolegë, të ndalem pak më gjerësisht dhe të ndaj me ju rezultatet e arritura në disa nga fushat parësore, gjatë kësaj periudhe.
Gjatë dy dekadave të fundit të tranzicionit, zhvillimi i zgjedhjeve të lira ka qenë një shqetësim i vazhdueshëm për demokracinë shqiptare në periudhën postkomuniste.
Më 28 qershor, Shqipëria zhvilloi zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, të cilat u vëzhguan nga 510 vëzhgues të OSBE/ODIHR dhe institucione të tjera ndërkombëtare dhe u vlerësuan si zgjedhjet që përmbushën standardet kryesore të OSBE/ODIHR dhe që në të cilat nuk pati asnjë evidencë për manipulim rezultati apo numërim të parregullt. Zgjedhjet e 28 qershorit janë zgjedhjet e para në historinë e vendit, të cilat u firmosen papërjashtim, nga të gjithë komisionerët e të gjithë forcave politike. Rezultati i tyre u certifikua 7 me 0 nga të gjithë anëtarët KQZ-së, të zgjedhur nga pozita dhe opozita në mënyrë konsesuale. Kjo, sepse ato ishin unike në transparencën e tyre, ku çdo komisioner dhe çdo vëzhgues në procesin e numërimit kishte të drejtën e vetos në kundërshtinë e tij. Dhe gjatë numërimit, çdo vote u filmua, u fotografua dhe transmetua live në qendrën e numërimit dhe në kohë reale në KQZ.
I menjëhershëm ishte reagimi i Bashkimit Europian. Ministrat e Jashtëm, të mbledhur në Këshillin e Çështjeve të Përgjithshme dhe Marrëdhënieve me Jashtë (GAERC) morën më 16 nëntor 2009, një vendim historik, duke i kërkuar Komisionit të përgatisë opinionin mbi aplikimin, më 28 prill 2009, të Shqipërisë për anëtarësim në BE.
Më 16 dhjetor 2009, qeverisë shqiptare iu dorëzua Pyetësori nga Komisioni Europian. Gjatë këtyre dy muajve, qeveria dhe institucione të tjera të përfshira kanë bërë një punë të jashtëzakonshme e intensive, duke përfunduar draftin e parë të përgjigjeve të Pyetësorit, i cili po përkthehet dhe do t'i dorëzohet së shpejti Komisionit Europian. Dëshiroj, me këtë rast, të rishpreh mirënjohjen time dhe të qeverisë ndaj Komisionit për punën e jashtëzakonshme në këtë drejtim dhe për mbështetjen e pakursyer që i ka dhënë në vazhdimësi vendit tim. Pas dorëzimit të përgjigjeve, ne kemi besim se ky angazhim i jashtëzakonshëm i Komisionit do të vazhdojë dhe në muajt në vijim, do të mundësohet hartimi i opinionit dhe marrja e vendimit historik për dhënien e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë.
Viti i kaluar shënoi krizën më të rëndë ekonomike, financiare botërore, që pas Depresionit të Madh. Natyrshëm, Shqipëria i ndjeu pasojat e kësaj krize, të shfaqura me ulje eksportesh apo reduktim të kreditimit. Sidoqoftë, në dallim nga trendi europian dhe i shumicës së vendeve të rëndësishme për ekonominë globale, Shqipëria pati një performancë pozitive ekonomike. PBB-ja u rrit me rreth 4 përqind, ndërkohë që inflacioni qëndroi i kontrolluar në nivelin rreth 3.5 përqind. Të ardhurat në buxhet shënuan një rritje prej 8 përqind, kurse investimet direkte 59 përqind më shumë se në vitin 2008. I njëjti trend pozitiv ka vijuar edhe gjatë dy muajve të parë të këtij viti, ku është shënuar edhe një rritje e eksporteve "Made in Albania", në nivelin 102 përqind (kurse eksportet e tjera një rritje në total me 56 përqind)
Ne besojmë se ishin reformat kurajoze dhe të jashtëzakonshme, të ndërmarra nga qeveria shqiptare, që bënë të mundur që Shqipëria t'i rezistojë krizës globale, si vendosja e taksës së sheshtë në nivelin 10 përqind, investimet e mëdha në infrastrukturat publike, me rreth 10 përqind të PBB-së në vitin 2009 dhe politika jonë e vazhdueshme e rritjes së rrogave dhe të pensioneve, e cila do të vazhdojë edhe në vitin 2010.
Shtyllë tjetër themelore për qeverinë tonë të integrimit europian ka qenë dhe mbetet lufta me zero tolerancë e pa kompromis ndaj krimit e korrupsionit.
Gjatë kësaj periudhe, organet e zbatimit të ligjit kanë shkatërruar mbi 207 organizata të krimit dhe kane arrestuar mbi një mijë anëtarë dhe krerë të tyre, disa prej të cilëve emra të spikatur në botën e krimit të organizuar, në rang ndërkombëtar, si kriminelë të rrezikshëm. Në këtë kuadër, agjencitë shqiptare kanë konsoliduar bashkëpunimin e suksesshëm me organet e zbatimit të ligjit të vendeve të rajonit, të Bashkimit Europian e vendeve të tjera mike e aleate. Qeveria shqiptare miratoi moratoriumin që ndalonte qarkullimin e mjeteve të shpejta lundruese shqiptare në ujërat territoriale, të cilat përdoreshin gjerësisht për trafiqet ilegale drejt Italisë.
Sot, niveli i sigurisë në vend është më i lartë se kurrë. Indiciet e kriminalitetit janë më të ulëta, se mesatarja e vendeve të BE-së, ndërkohë, në raportet ndërkombëtare konstatohet se Shqipëria është shndërruar në vendin më armiqësor ndaj trafiqeve të të gjitha llojeve, në rajonin e Ballkanit. Vitin e kaluar, Shqipërinë e vizituan mëse 2 milionë turistë, një shifër rekord kjo dhe, për më tepër, nuk u shënua asnjë incident, që mund të përfshinte vizitorë të huaj. Në të gjithë vendin është instaluar dhe funksionon sistemi MEMEX i analizës së informacionit kriminal dhe Policia e Shtetit ka bërë trajnimin e duhur për ta përdorur me efikasitet këtë sistem. Ne besojmë se liberalizimi i plotë vizave për qytetarët shqiptarë do të ketë një efekt të drejtpërdrejtë në reduktimin drastik të kriminalitetit për shumë veprimtari, që përfshijnë "cross-border elements".
Arritje të rëndësishme janë shënuar në luftën kundër krimit financiar. Vetëm gjatë vitit 2009 janë konfiskuar asete të shumta. Task Forca kundër krimit ekonomik e korrupsionit po i shtrin kapacitetet e saj institucionale në të gjithë vendin, ndërkohë miratimi i ligjit antimafia pritet të ketë një impakt jashtëzakonisht pozitiv në shkatërrimin e fuqisë së krimit, duke i hequr atij mbështetjen ekonomike.
Një betejë e vazhdueshme ka qenë përqasja jonë kundër korrupsionit. Reduktimi i hapësirave për korrupsion e abuzim ka përbërë preokupim të vazhdueshëm dhe parim themelor në hartimin e të gjitha reformave ekonomike dhe në miratimin e masave legjislative e institucionale që ka ndërmarrë qeveria shqiptare.
Gjatë mandatit të parë, disa nga rezultatet e arritura mund të përmblidhen në disa aspekte si: nxjerrja e administratës nga konflikti i interesit dhe shkurtimi i shpenzimeve operative me rreth 1 përqind të PPB-së, ndërtimi i sistemit elektronik one-stop-shop për regjistrimin e biznesit brenda një ore me një euro, reduktimi i 2/3 të licencave e të lejeve dhe vendosja e pjesës së mbetur mbi parimin "Heshtja është miratim", eliminimi i korrupsionit në sektorin e arsimit, konkretisht në procesin e pranimit në universitete, etj.. Shqipëria është ndër vendet e pakta, ku prokurimet publike zhvillohen tërësisht online. Gjithashtu, janë dixhitalizuar shërbimet doganore dhe ato tatimore dhe janë marra masa të rrepta për eliminimin e korrupsionit në këto shërbime. Për rrjedhojë, të ardhurat publike, gjatë kësaj periudhe, u rritën me 5.2 miliardë dollarë në 4 vite, me gjithë reduktimin drastik të taksave. Një sërë ndërmarrjesh të mëdha publike u privatizuan, duke reduktuar ndjeshëm korrupsionin në sektorin publik, një problem eminent, i shoqëruar me statusin e tyre si ndërmarrje publike. Në kuadër të reformës në sektorin e drejtësisë, u hoq imuniteti për prokurorët dhe mazhoranca iu përmbajt angazhimit për heqjen në mënyrë automatike të imunitetit për deputetët e akuzuar për korrupsion.
Parimi i dytë, mbi të cilin u mbështet beteja jonë, qe parimi i ndëshkimit. Mbi 200 zyrtarë janë sjellë përpara ligjit, përfshirë edhe nivelet më të larta, si zëvendësministër apo Sekretar i Përgjithshëm në ministri por, së fundmi, edhe gjykatës e prokurorë. Vetëm gjatë periudhës shator 2009 - shkurt 2010 janë arrestuar 55 zyrtarë me akuzën e korrupsionit dhe të shpërdorimit të detyrës.
Një ndër nismat e para ligjore të miratuara nga qeveria shqiptare me fillimin e mandatit të dytë ishte eliminimi i një praktike të trashëguar nga tradita komuniste, ku çdo zyrtar i mesëm e më lart kishte në dispozicion makinë dhe shofer. Ky privilegj i kushtonte taksapaguesve shqiptarë mbi 19 mijë dollarë në vit për zyrtar. Ligji i miratuar nga qeveria shqiptare e ngushtoi në rreth 30 numrin e zyrtarëve, që kanë në dispozicion makina publike, pra, vetëm për krerët e organeve kushtetuese.
Në këtë kontekst, qeveria ka shpallur nismën e saj më të re për privatizimin e të gjithë aseteve shtetërore, me përjashtim të sektorit të shëndetësisë dhe digave energjetike. Gjej rastin të ftoj investitorët e vendeve tuaja të shfrytëzojnë mundësitë që ofron Shqipëria dhe të vinë në vendin tim, për të ndërtuar e për të zhvilluar veprimtari ekonomike, që do të provohen histori suksesi për ta dhe për Shqipërinë.
Zonja dhe zotërinj,
Lëvizja e lirë e qytetarëve shqiptarë drejt hapësirës europiane ka përbërë projektin tjetër më të rëndësishëm për qeverinë shqiptare për këtë periudhë. Një përpjekje e jashtëzakonshme është bërë në të katër fushat e përcaktuara nga udhërrëfyesi dhe ne jemi të lumtur që, të përcaktuara tashmë si procese teknike, misionet e ekspertëve kanë konstatuar ecuri shumë të mirë dhe realizimin e pothuajse shumicës së kritereve që kërkohen për t'u përmbushur.
Vlen të përmendet, në veçanti, që në një kohë rekord, janë pajisur qytetarët shqiptarë me mëse 520 mijë pasaporta biometrike dhe rreth 2 milionë karta të identitetit nga më modernet e të sigurtat në Europë.
Përsa i përket kriterit të migrimit, menaxhimit të kufirit dhe ripranimit, teknologji të reja nga më të avancuarat në Europë për menaxhimin e integruar të kufijve, janë vënë në funksionim, si sistemi TIMS, në të 24 pikat e kalimit kufitar, si dhe është unifikuar sistemi i kontrollit në këto pika, sipas parimit one-stop-shop. Janë krijuar modulet për e-visa dhe e-lejet e qëndrimit, të cilat janë instaluar në këtë sistem TIMS dhe aktualisht përdoren nga Policia Kufitare dhe e Migracionit dhe strukturat e Ministrisë së Brendshme, Zyrat e Punës dhe shërbimet konsullore të Ministrisë së Punëve të Jashtme, të cilave iu është mundësuar, njëkohësisht, aksesi në këtë sistem. Ka përfunduar dhe është vënë në funksion të plotë regjistri elektronik i të huajve me qëndrim të rregullt në Shqipëri. Është miratuar dhe është në zbatim legjislacioni i nevojshëm për kontrollin dhe survejimin e kufirit, edhe ai për azilin, në përputhje me standardet europiane. Është vënë në funksion kontrolli i hapësirës detare me radar dhe qeveria ka shtyre afatin, duke lënë në fuqi moratoriumin për skafet.
Ndërkohë, Shqipëria zbaton me sukses të plotë dhe pa asnjë vërejtje të gjitha marrëveshjet e ripranimit me Bashkimin Europian. Duke e konsideruar lëvizjen e lirë të shqiptarëve në hapësirat europiane si element kyç të zgjerimit të lirive që mbart në vetvete procesi i integrimit, qeveria shqiptare mbetet e gatshme të nënshkruajë dhe të zbatojë çdo marrëveshje ripranimi apo tjetër me secilin prej vendeve anëtare të BE-së.
Shqipëria ka ruajtur një traditë të shkëlqyer tolerance fetare e etnike par excellence dhe raportet ndërkombëtare të fokusuara në të drejtat e njeriut e vlerësojnë si një ndër vendet europiane pa probleme të këtij lloji. Hapi më i fundit, në drejtim të konsolidimit të të drejtave të njeriut, është miratimi nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë i ligjit për antidiskriminimin, më 4 shkurt 2010.
Këtu do të dëshiroja të shpreh vlerësimin dhe mirënjohjen time më të thellë për bashkëpunimin e ngushtë me të gjitha institucionet e BE-së për procesin e liberalizimit të vizave. Në veçanti, dëshiroj të shpreh vlerësimin për miratimin me shumicë dërmuese, në Parlamentin Europian, më 12 nëntor 2009, të rezolutës, që kërkon trajtimin sa më të shpejtë të propozimit për liberalizimin e vizave me Shqipërinë, menjëherë sapo Komisioni të vlerësojë se janë përmbushur detyrimet teknike të udhërrëfyesit. Dëshiroj të sjell në vëmendjen tuaj rezolutën e miratuar më datë 11 mars 2010, me konsensusin e të gjitha forcave politike në parlamentin shqiptar, në të cilën mbarë spektri politik shqiptar shpreh mbështetjen për këtë projekt madhor.
Qeveria shqiptare mbetet me bindjen e thellë se, si dhe në vijimësi, Komisioni Europian do të marrë në konsideratë rezultatet dhe shndërrimet e jashtëzakonshme që ka arritur vendi im edhe në këtë fushë, si dhe do të marrë vendimin historik, duke u lejuar shqiptarëve të ndihen të barabartë, përkrah qytetarëve të tjerë europianë, edhe në këtë aspekt kaq të rëndësishëm për jetën e tyre, por edhe për biznesin, ekonominë e tregtinë ndërmjet BE-së dhe Shqipërisë.
Së fundmi, më lejoni të nderuar pjesëmarrës, të ndalem pak në situatën në rajon dhe perspektivat e bashkëpunimit. Vërtet rajoni ynë është i vogël (PBB i përgjithshëm rajonal është më i vogël se ai i një prej vendeve "mesatarë" të BE-së), por ne jemi të bindur se me pozicionin e tij gjeografik, me pasuritë e mëdha të natyrës dhe të trashëgimisë etnike e kulturore, pjesë e rëndësishme e kulturës dhe trashëgimisë europiane, me kapacitetet njerëzore dhe besimin në vlerat e përbashkëta të lirisë, demokracisë, shtetit të së drejtës, bazuar mbi ekonominë e tregut të lirë dhe në traditën e bashkëjetesës ndërmjet kombeve të ndryshme, të kultivuar ndër shekuj, Ballkani Perëndimor do të shndërrohet shumë shpejt në një rajon dinamik e tërheqës të Europës të së ardhmes.
Përsa i përket vendit tim, Shqipëria do të vazhdojë politikën e saj konstruktive e të moderuar në rajon, do të vazhdojë të ruajë marrëdhëniet e mira me të gjitha vendet, si dhe të promovojë zgjerimin dhe thellimin e bashkëpunimit rajonal e dypalësh në të gjitha fushat, në dobi të mirëqenies e të interesit të ndërsjellë të popujve dhe vendeve tona.
Shqipëria nuk ka asnjë çështje të pazgjidhur me vendet fqinje. Pavarësisht qëndrimeve të ndryshme që ne kemi për sa i përket Kosovës, vizita e suksesshme e zëvendëskryeministrit dhe ministër i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, gjatë javës së kaluar në Beograd, ku është diskutuar në frymë konstruktive me autoritetet më të larta serbe për një erë të re në marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë dhe Serbisë, është një shprehje tjetër e vullnetit tonë të palëkundur që shqiptarët dhe serbët të lënë pas të shkuarën e të shikojnë përpara si dy kombe me aspirata dhe të ardhme të përbashkët, të vendosur të përqendrojnë të gjitha energjitë pozitive, për të krijuar një sinergji bashkëpunimi drejt një integrimi të afërt europian.
Ne do te vijojmë të marrim pjesë aktivisht dhe të mbështesim të gjitha nismat rajonale të sigurisë e të bashkëpunimit ekonomik. Shqipëria mbështet fuqishëm aspiratat euroatlantike të të gjitha vendeve të rajonit. Shqipëria mirëpriti Malin e Zi dhe Bosnjë-Hercegovinën si anëtarë të rinj të Kartës së Adriatikut me SHBA dhe shpresojmë të shikojmë Kosovën dhe Serbinë së shpejti pjesë të këtij forumi shumë të rëndësishëm. Po ashtu, Shqipëria mirëpriti anëtarësimin e Malit të Zi dhe të Serbisë në SEDM, duke shpresuar që edhe Kosova të bëhet pjesë e këtij Ministeriali, çka do të përbëjë një element pozitiv, shumë të rëndësishëm në shërbim të paqes e të sigurisë në rajon dhe më gjerë.
Dëshiroj të përfundoj duke shprehur opinionin tonë dakord për Deklaratën që do të dalë nga kjo konferencë, si edhe mbështetjen tonë të plotë për Ministerialin e ardhshëm BE-Shqipëri.
Faleminderit për vëmendjen"
* Fjala e kryeministrit Berisha sot në takimin me liderë të rajonit në Bërdo, Slloveni