Shkup, 20 mars, NOA - Një vend me emrin "Albani" ka bërë që shumë dijetarë, si të huaj edhe shqiptarë, ta përdorin si argument se shqiptarët e kanë prejardhjen nga Kaukazi.
Në këtë hapësirë gjeografike sot gjenden shtetet Gruzia, Armenia dhe Azerbejxhani, ndërsa në disa harta të vjetra aty, do të haset edhe emër-vendi "Albani" dhe asgjë më tepër.
Por ai do t'u hapë "telashe" shumë shkencëtarëve që të nxjerrin supozimet e tyre se së fundi e "zbuluan" enigmën e prejardhjes së shqiptarëve në Evropë, pasi një fis ilir e paska emrin Albani dhe ja "fakti" se shqiptarët paskan jetuar dikur ne Kaukaz dhe se këta na paskan ardhur në Europë, gjegjësisht në Iliri aty nga shekulli i pare (viti 65) i erës sonë! (dr. Risto Ivanovski "Albancite- veshtacka nacia" (Shqiptarët, komb artificial) FOKUS 7. 6. 1996).
Me rëndësi është të theksojmë se një hipotezë të tillë e përkrahën me të madhe shkencëtarët serb dhe sllavo-maqedonas.
Të jemi më korrektë, gjurmëve të këtyre të dhënave shkuan edhe disa dhjetëra shqiptarë. Të gjithë këta nisën nga emri i këtij vendi me emrin "Albani" që gjendet në Kaukaz.
Por kush është Albani i Kaukazit të Azisë që solli aq huti ndër dijetarët dhe udhëpërshkruesit e ndryshëm?!
Mos është me të vërtetë atdhe i stërlashtë i shqiptarëve apo e gjithë kjo është vetëm një rastësi, gjë që është e mundshme, pasi në planetin Tokë hasim në vende të ndryshme, emër-vende të njëjta.
Të theksojmë se vetëm ne SHBA ka 24 vendbanime që bartin emrin Beograd.
Gjithashtu, në SHBA hasen një emër vend- vendbanimi Albania, (në shtetin Nju Jork) dhe shumë raste të tjera.
Rast i veçantë është edhe emri i vendit Titikaka (liqeni Titikaka) i cili gjendet në Malet Ande të Amerikës Jugore, gjegjësisht në kufi të Perusë dhe Bolivisë.
Në shqip ka kuptim tjetër, u thuhet fëmijëve që të kap diçka të ndytë duke i thënë: "titi-kaka". Kjo fjalë në gjuhën e vendasve ka kuptim tjetër dhe donë të thotë: "vend i plumbit" , pasi në atë vend ka pasuri të xehes së plumbit. Pra, asgjë e jashtëzakonshme!
Në Gadishullin e Arabisë, në pjesën perëndimore të tij, në hartat e botuara të ish Jugosllavisë, do të haset një emër-vend mali Shar, ose në Afrikë, në liqenin Çad, derdhet një lum i njohur me emrin Shari (Ubangi Shari) dhe shumë raste tjera.
Kështu, në hartën e H.G. Vels botim i vitit 1830, aty ku haset emri Albani, mbi të gjendet edhe një vend me emrin "Iberi". A nuk të përkujton emrin e dikurshëm të Gadishullit Apenin i cili e ka bartur emrin Gadishulli Iberik!
Nëqoftëse vendi me emrin "Alban" i Evropës është i ngjashëm me atë të Kaukazit- Azisë, atëherë edhe Iberi i Azisë është identik me atë të Europës.
Ky i fundit, nuk çoj fare peshë ndër shkencëtarët dhe as që e përmendi dikush një emër-vend të tille.
Se me këtë është manipuluar me të madhe, do të mar një rast më flagrant, atë të Dr. Risto Ivanovskit, i cili gjatë një polemike të zhvilluar me dr. Resht Nexhipin në të përjavshmen "Fokus" të vitit 1996 do të theksojë se shqiptarët prejardhjen e kanë nga Kaukazi dhe se shqiptarët i quan "komb artificial".
Për këtë, në të përditshmen "Flaka" pata një reagim me titullin "Vlerësimet shkencore" dhe "porositë" vëllazërore të Risto Ivanovskit ( „Flaka" 11.06.1996). Përndryshe, autori në fjalë, në "Fokus" do të theksojë: "Shqiptarët për here të pare hasen si popull mongol me gjuhën tatare, turke në luftë kundër Aleksandërit të Madh... herën e dytë do ta hasim si pop. luftëtarë kundër udhëheqësit romak Gaj Pompeit në vitin 65"
Temë shqyrtimi i emrit të këtij vendi u bë edhe në Enciklopedinë Moderne të Francës. Në këtë enciklopedi, për këtë vend do të theksohet: "Disa kronistë të vjetër bëjnë të ditur se në rrezen malore të Kaukazit, përgjatë Detit (Liqenit) Kaspik hasim një fis me emrin Albani që është menduar se rrjedhin nga ilirët".
Më tutje, në këtë enciklopedi theksohet: "Asnjë argument nuk e mbështet këtë". Përndryshe, kronistët që e përkrahin këtë hipotezë janë kënaq me atë se: Albanët e Kaukazit kishin ardhur nga Iliria, në një kohë që nuk mbahet mend".
Siç duket, janë nisur vetëm nga emri ALBANI dhe në bazë të kësaj të dhëne kanë sjellë një përfundim se Albanët e Azisë janë ata të Albanët e Europës!
Siç shihet, një konkludim i tillë nuk ka mbështetje shkencore dhe mund të themi se është tepër naive.
Sot në Kaukazin perëndimor rrjedh një lum në drejtim të Liqenit Kaspik i cili mban emrin Bilbano që nuk dallohet shumë nga emri Albani që e mbështetnin dikur. Qyteti Albani ishte i vendosur në derdhjen e këtij lumi.
Më tutje, analistët-dijetarët kanë menduar se albanët e Azisë kanë origjinë europiane, ngjashëm si që kanë menduar se albanët e Europës kanë origjinë aziatike (F. 286 „Enciklopedia Moderne" vëllimi i pare, Paris, 1841).
NOA-INA