Tiranë, 21 Mars NOA/Milena Selimi -21 Marsi është Dita Botërore e Poezisë, e shpallur e tillë nga UNESCO në vitin 1999. Përveç krijimit të një dite të veçantë në nderim të poezisë dhe krijimtarisë poetike, qëllimi i Ditës Botërore të Poezisë është përkrahja e leximit të poezisë, nxitja e krijimtarisë poetike, botimi i saj si dhe krijimi i një atmosfere mikpritëse për praninë poetike kudo në botë.
UNESCO e ka ndërmarrë këtë hap për t'i dhënë gjallëri, vlerësim dhe shtysë lëvizjeve poetike kombëtare, rajonale dhe ndërkombëtare.
Dita e Poezisë dëshmohet se ka qenë e pranishme që prej vitit 1505. Ajo është kujtuar në muaj të ndryshëm të vitit dhe në forma të larmishme organizimi, sipas veçorive, besimeve dhe parapëlqimeve të secilit komb.
Në nder të kësaj dite, në Tiranë u organizuan disa veprimtari. Aktivitetet nisën dje me një mbrëmje poetike në teatrin Metropol, e organizuar edhe në kuadër të "Pranverës së Frankofonisë 2010".
Ndërsa paraditen e 23 marsit, në sheshin Skëndërbej në Tiranë, me rastin e kësaj dite pritet që të organizohet një koncert festiv me këngë, valle dhe poezi të autorëve francezë, nga nxënësit e shkollës franko-shqiptare "Viktor Hygo".
Sipas bashkisë së Tiranës koncerti i titulluar "Daullet e Paqes" organizohet në kuadër të "Ditës Botërore të Poezisë" dhe Ditës së Frankofonisë, organizata ndërkombëtare e së cilës këtë vit feston 40 vjetorin e saj, nën emrin "Diversiteti në shërbim të paqes".
m.s/NOA