English

Elbasan, adoleshentja hidhet nga lokali "Divino" në katin e 12-të

Më shumë foto, te Galeria

Dëshmitë okulare dhe detajet mbi ngjarjen e paprecedentë dhe fotot menjëherë pas hedhjes së vajzës nga lokali më i njohur i qytetit të Elbasanit, Divino"

Elbasan, 21 Mars NOA Lajm dhe foto Update - Disa dhjetëra klientë ndodheshin sot në orën 1.30 pas mesditës në lokalin "Divino" në bar-tarracën në katin e 12-të të një pallati të ri në qendër të qytetit Elbasan, i vetmi në një lartësi të tillë.

Ata janë shokuar kur befas një vajzë e re është ngritur nga tavolina në tarracën ku gjendej bashkë me të fejuarin dhe pak metra më tutje është varur në parvazin e lokalit duke u lëshuar më pas në ajër.

Në pak çaste, është dëgjuar një zhurmë poshtë dhe në asfalt është dergjur trupi i 19-vjeçares Alma Karaj, e cila menjëherë më pas iku nga kjo botë.

Ngjarja e frikshme ndodhi papritur dhe papandehur duke shokuar të dashurin e saj dhe të gjithë klientët në lokal e më pas edhe banorët që u afruan përreth vendngjarjes.

Korrespondenti i agjencisë NOA raporton nga vendngjarja ku momentalisht policia po kryen procedurat rutinë dhe thotë se ka shoqëruar për të marrë në pyetje, djalin me të cilin vajza kreu bisedën e fundit të jetës.

Çfarë ndodhi

Gjithçka ka ndodhur në orën 1.30 pas mesditës së sotme, në një pallat 12 katësh në qendër të qytetit Elbasan pranë kinema "Millenium", pallat nga ku edhe u hodh adoleshentja, pikërisht në katin e 12-të të objektit të ndërtuar pak vite më parë.

Policia konfirmoi se vajza 19-vjeçare nuk ishte banore e pallatit ku ndodhi ngjarja. Në fakt, ajo ndodhej bashkë me një djalë që mendohet se ishte i fejuari i saj, në lokalin "Divino" të katit të dymbëdhjetë të pallatit dhe që atje besohet se është hedhur menjëherë pas një tronditjeje të fortë psikologjike që dyshohet të ketë pësuar për shkaqe ende të paqarta.

Hetimet paraprake ende vazhdojnë, për të sqaruar arsyet që çuan të renë në vendimin e dhimbshëm të vetëflijimit.

Mësohet se adoleshentja ishte ulur në lokal bashkë me 25-vjeçarin Hekuran Hasa, djalin që e shoqëronte dhe kishin aty disa minuta që qëndronin së bashku me një djalë tjetër, kushëri i të fejuarit të saj.

Klientë të pyetur mbi ngjarjen, pohuan se mister mbetet shkaku i hedhjes pasi nuk kanë dëgjuar ndonjë debat mes çiftit apo personit të tretë që gjendej në tavolinë. Ata tregojnë se vajza u ngrit qetësisht nga tavolina dhe teksa u larguar pak metra më tutje, ka fluturuar drejt vdekjes.

a.k/e.r/NOA

KOMENTE