English

Kriza politike, Meta: Qeveria do çojë mandatin deri në fund

Uashington, 21 mars, NOA - Mungesa e konsensusit dhe bojkoti i opozitës nuk rrezikon qeverinë. Kjo është deklarata që zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Ilir Meta, ka bërë në lidhje me situatën politike në vend.

Në një intervistë dhënë për "Zërin e Amerikës", gjatë vizitës së tij në SHBA, kreu i diplomacisë shqiptare e ka cilësuar situatën politike në vend si një krizë artificiale, të krijuar për interesa të lidershipit të PS-së.

Ai ka thënë se thirrje për protesta të opozitës nuk do të sjellin asnjë ndryshim në skenën politike shqiptare.

"Zoti Rama mund të bëjë thirrje sa të dojë. Z. Rama ka bërë thirrje dhe për të marrë pushtetin me dhunë, bashkë me aleatët e tij. Asnjë nga këto nuk ka për të ndodhur. Të jeni të sigurt se kjo Qeveri ka legjitimitet të plotë. Të jeni të sigurt se kjo Qeveri do e çojë deri në fund mandatin e saj. Kjo Qeveri do të mbetet gjithmonë e hapur për të bashkëpunuar me opozitën, por kurrë nuk mund të merret kredibiliteti i sistemit kushtetues të vendit peng nga një politikë krejtësisht destruktive dhe pa të ardhme, që për fat të keq po ndjek Kryetari i Partisë Socialiste", është shprehur Meta.

Zëvendëskryeministri Meta është shprehur se për kërkesat e PS-së, pë hapjen e kutive, duhet të konsumohet me parë alternativa e Gjykatës Kushtetuese dhe në fund të flasë Kuvendi.

m.xh/NOA

KOMENTE