English

Kukan takohet me Edi Ramën: Më vjen keq që kriza po vazhdon

Tiranë, 21 Mars NOA - Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama priti sonte në një takim të veçantë delegacionin e Parlamentit Europian të kryesuar nga Presidenti i Komisionit për Ballkanin, Eduard Kukan.

Gjatë këtij takimi Edi Rama i kërkoi përfaqësuesve të Parlamentit Europian mbështetje për procesin e liberalizimit të vizave dhe integrimit europian të Shqipërisë, të cilin kreu socialist e cilësoi si ëndrrën europiane të shqiptarëve.

Një temë e rëndësishme e bisedës ishte edhe zhvillimet e fundit politike në Shqipëri.

Rama shprehu keqardhjen për sjelljen e mazhorancës në seancës plenare të javës së fundit, ku sipas tij, kërkesës së opozitës për transparencë dhe hetim të plotë e të detajuar të zgjedhjeve, pushteti iu përgjigj me forcën e kartonëve, duke tjetërsuar dhe shndërruar nismën e opozitës për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar në një farsë që nuk mund të sigurojë as transparencë të zgjedhjeve të fundit dhe as garanci për standardet e zgjedhjeve të ardhshme.

Nga ana e tij, Eduard Kukan shprehu keqardhjen për mosarritjen e kompromisit në parlament dhe për vazhdimësinë e krizës në Shqipëri.

"Pas hyrjes së opozitës në parlament", theksoi zoti Kukan, "shpresa për gjetjen e një zgjidhje u shtua, ndërkohë që sot me keqardhje vëmë re se zgjidhja e shumëpritur ende nuk është gjetur".

e.r/NOA

KOMENTE