English

Legaliteti: Tërheqja e PS nga nismat e saj, një papërgjegjshmëri

Tiranë, 21 Mars NOA - Partia "Lëvizja e Legalitetit" e konsideron tërheqjen e Partisë Socialiste nga kërkesa për ngritjen e Komisionit Parlamentar që do të hetojë zgjedhjet e 28 qershorit, si një akt të rëndë papërgjegjshmërie, që bie në kundërshtim jo vetëm me kërkesën e saj disamujore për hetimin e atyre zgjedhjeve, por edhe me nevojën reale për transparencë, e shprehur kjo nga opinioni i shëndoshë brenda vendit dhe partnerët tanë ndërkombëtarë.

Reagimi erdhi sot nga Sekretari Politik i PLL, Shpëtim Axhami në një dalje të posaçme për mediat.

Ai tha se "ne kemi dyshuar vazhdimisht tek sinqeriteti i Partisë Socialiste në kërkesën për hetimin zgjedhjeve parlamentare, sepse për asnjë çast Partia Socialiste nuk ka njohur përgjegjësinë e saj në administrimin e zgjedhjeve, në të cilat ajo kishte vendimmarrje të plotë në gjysmën e komisioneve të të gjitha niveleve".

"Sipas pikëpamjes tonë, Partia Socialiste është autorja de facto e Kodit Zgjedhor që kufizoi me ligj hapësirat konkurruese të partive të tjera dhe vendosi ndaj tyre kritere diskriminuese që cenojnë rëndë parimet demokratike dhe pluralizmin në vend. Ky është problemi themelor i zgjedhjeve të 28 qershorit të cilin politika e ditës dhe debatet e radhës nuk mund ta mbajnë pafundësisht larg vëmendjes së opinionit publik dhe gjykimit të tij", - citoi Axhami, qëndrimin e PLL.

Për këtë parti monarkike, heqja dorë nga hetimi parlamentar dhe deklarimi i menjëhershëm i Partisë Socialiste për kalimin në protesta që do të kërkojnë largimin e qeverisë është një akt komprometues, që tregon se pushteti është qëllimi i vetëm i asaj partie dhe se çdo kërkesë e deritanishme për hetimin e zgjedhjeve ka qenë thjesht një demagogji në funksion të këtij qëllimi.

Partia "Lëvizja e Legalitetit" është e gatshme të japë ndihmesën e saj dhe pret që mangësitë e konstatuara prej vëzhguesve ndërkombëtarë, por edhe mangësi të tjera për të cilat nuk është thënë ende asnjë fjalë, të bëhen pjesë e një diskutimi të gjerë dhe të jepet rrugëzgjidhje, - ka përfunduar deklararën e tij, Sekretari Politik i PLL, Shpëtim Axhami.

e.r/NOA

KOMENTE