Shkup, 21 Mars NOA - Në selinë e Demokracisë së Re, me anë të një konference për shtyp, mbi 50 anëtarë të PDSH-së nga Dega e Çairit bënë publik kalimin në radhët e DR-së, duke iu bashkangjitur kështu programit dhe vizionit të DR-së për politikë konstruktive e cila ofron zgjidhje për të gjitha problemet e shqiptarëve në vend.
Kryetari i DR-së, z. Imer Selmani iu dëshiroi anëtarëve të rinj mirëseardhje në parti duke përshëndetur vendimin e anëtarëve për t'iu bashkangjitur Demokracisë së Re.
Ai ceku se politikat e DR-së janë të drejta dhe të favorshme për shqiptarët, e kjo vërtetohet edhe me vendimin e anëtarëve të rinj të cilët në Demokracinë e Re shohin opsionin e tyre të vetëm politik i cili mund të çojë proceset përpara dhe të realizojë aspiratat e shqiptarëve për barazi të plotë, zhvillim ekonomik proporcional, tolerancë dhe shtet multietnik.
Mensur Curri, ish-anëtar i Kryesisë së Degës së PDSH-së në Çair deklaroi: "Në emër të 50 anëtarve të PDSH-së deklaroj se japim dorëheqje nga anëtarësimi, aktiviteti dhe angazhimi ynë politik në PDSH, ngase skajshmërisht jemi të zhgënjyer dhe mashtruar nga politikëbërja e kësaj partie. Jemi ngopur nga vokabulari që çdoherë premton, por nuk realizon".
"Andaj, ne sot i bashkangjitemi Demokracisë së Re, sepse konsiderojmë se vizioni dhe politikëbërja e këtij subjekti politik përputhet me interesat mbarëkombëtare, respektivisht me aspiratat tona për barazi me maqedonasit", - vijoi Curri,
"Prej sot, mbarë kapacitetin intelektual dhe profesional dhe aktivitetin tonë do ta përqendrojmë në përkrahjen e Demokracisë së Re dhe programi të saj politik, duke u nisur nga parimi se të tjerët i pamë dhe pësuam nga ta. Tash është koha e Demokracisë së Re", - ka përfunduar Curri.
Më poshtë mund të lexoni deklaratën e plotë të kalimit nga PDSH në DR:
D E K L A R AT Ë
Ne, Mensur Curri dhe Hisni Saliu, anëtarë të kryesisë së PDSH-së - Dega e Çairit, së bashku me mbi 50 anëtarë, aktivistë të PDSH-së, deklarojmë se japim dorëheqje nga anëtarsimi, aktiviteti dhe angazhimi ynë politik në atë subjekt politik, ngase definitivisht u bindëm se kemi qenë të zhgënjyer dhe mashtruar nga prefiksi "Shqiptare", programi dhe platformat e tyre të shkruara vetëm në letra, si dhe vokabularet premtuese dhe kërcënuese, njëri me shpatë çan qiellin, tjetri përplot populizëm demagogjik brohorit "Ova ne e Skopje..." dhe pastaj nuk e konsideron si qytet shqiptar duke ndryshuar kursin për 180 shkallë. Kur lëpijnë nga kulaçi qeveritar, shkelin, mposhtin dhe harrojnë premtimet, programin, platformën, por harrojnë edhe mundimet, persekutimet, bile edhe gjakun e djersën e popullit. Populli nga mjerimi që ua sollën me mashtrime, kësaj radhe arratisjen nuk ua pregaditën "pashiqët", "gruistët" e as ordiner të huaj, por tradhtia që i kurdisën këto parti "shqiptare".
Kulminacioni dëshpërues nga këto parti tejkaloi bindjet dhe durimin tonë kur vërejtëm se miratohen ligje antishqiptare vetëm për të ngelur nëpër fotelet e uzurpuara me gjakun më të shenjtë, dëbohet popullata që mu ata e rraskapitën e të tjerët rikthyen "plehrat" në deponinë përkatëse, dhe nga to formohen strukturat e atij "subjekti politik shqiptar",e sidomos heqja dorë nga trevat tradicionalisht dhe historikisht shqiptare, u harrua Shkupi, ata që brohortnin "Ova ne e Skopje..." të parët hoqën dorë nga Shkupi. Ne mburremi me Tetovën, Gostivarin, por se kemi ndërmend të largohemi nga as një pëllëmbë toke e banuar me shqiptarë, qoftë ajo në Manastir, Prilep, Krushevë ose Veles, e ngase sipas njohurive tona, duke vizituar dhe dhënë kurajo banorëve të fshatrave kudo qofshin ato bile edhe me nga tre shtëpi të banuara me shqiptarë, këtë koncept e zbaton dhe realizon vetëm dhe vetëm partia "Demokracia e Re" nga njëra anë, dhe fakti se i qëroi taboret nga "plehrat më të qelbur" nga ana tjetër, ne formuam bindje, konsideratë dhe admirim ndaj këtij opcioni politik, se vetëm ajo paralajmëron dhe avanson një formë tejet të moderuar politike për interese mbarëkombëtare dhe jo vetëm lokaliste, jo për çështje dhe interesa personale dhe lektorale si të tjerët. Edhe përpos propagandës sistematike kundrejt kësaj partie me qëllime diskredituese nga oponentët e saj politik, ajo me qëndrimet dhe kërkesat e saja, apriori dëshmoi se parashtron tejkalimin e sfidave që ngecin, frenojnë dhe diskriminojnë nevojat e popullatës në çdo sferë të jetës: Iniciativa për rishqyrtimin e të dënurve me "Rastin e Sopotit", Kërkesa për implementimin e Badenterit në Këshillin Gjyqësor Republikan dhe atë Kushtetues që të mos mundësohet majorizimi i shumicës ndaj pakicës dhe të vijë deri te pezullimi i tyre si deri më tani, Ligji për zyrtarizimin e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare shtetërore, reagimet e ashpra ndaj miratimit të ligjeve me prapavijë diskriminuese si ai i arsimit fillor ku përmes insistimeve që maqedonishtja të mësohet si lëndë obligative që prej klasës së parë, e që edhe poltronët dhe servilët "shqiptaromëdhenj" nga partia në pushtet i dhanë shenjë të gjelbërt, pa hezituar se pas saj qëndrojnë projekte tejet të errta antishqiptare, ngjajshëm si ato dikur të porositura nga Nikolla Pashiqi dhe hartuara nga Vasa Qubrilloviqi dhe shumë iniciativa tjera për demaskime dhe ndriçime intrigash dhe kurthash antishqiptare dhe antikonfesionale.
Andaj, ne i bashkangjitemi partisë "Demokracia e Re" sepse konsiderojmë se githçka përputhet dhe fërkon me interesat gjithëkombëtare, njëherit me kërkesat dhe synimet tona, dhe mbarë aktivitetinë tonë do përqëndrojmë në përkrahjen e kësaj partie duke u nisur nga parimi se partitë tjera i pamë dhe përjetuam, mbarë populli pësuam.
Ne duam punë dhe jo lëmoshë. Ne duam barazi në tërë vendin, por gjithsesi edhe në Shkup dhe sheshin e tij.