Tiranë, 21 mars, NOA - Partia Socialiste do të marrë sot një vendim politik në lidhje me vijimin e aksionit politik pas dështimit të negociatave. Në orën 11:00, në selinë rozë do të mblidhet grupi parlamentare i PS-së, i cili do të vendos në mënyrë zyrtare qëndrimin e opozitës ndaj qeverisë.
Pas vendimit të Kuvendit për ngritjen e komisionit hetimor, pa miratimin e opozitës, grupi i PS-së do të përcaktojë dhe nisjen e protestave popullore.
Deklarata e djeshme e kryetarit të PS-së, Edi Rama, u parapriu zhvillimeve në mbledhjen e sotme të grupit, duke deklaruar se PS-ja do të organizojë protesta popullore, për të kërkuar largimin e qeverisë dhe zgjedhje të parakohshme.
Sipas burimeve nga PS-ja, mbledhja e grupit pritet të përcaktojë dhe detyrat e deputetëve në lidhje me organizimin e tubimeve masive.
Sipas deklaratës së kryetarit të PS-së, protestat nuk do të jenë të fokusuara vetëm në kryeqytet, por në gjithë vendin.
m.xh/NOA