Tiranë, 21 Mars NOA - Partia Socialiste mblodhi mbrëmjen e së dielës, aleatët opozitar, për të dalë në një vendim të përbashkët, pas seancës së fundit në Parlament, ku siç thotë, mazhoranca kaloi me forcën e kartonëve komisionin hetimor, i cili nuk do të mundet të hetoj kutitë e votimit.
Kreu socialist Edi Rama, u takua për më shumë se një orë me aleatët Skënder Gjinushi, Nard Ndoka, Spartak Ngjela, Erion Veliaj dhe Ndre Legisi, ku në përfundim, ranë dakord që pas një muaji, të organizohet një protestë e madhe përpara kryeministrisë, për largimin e qeverisë.
Pas takimit Rama nuk foli për mediat por aleatët janë shprehur se protestat e muajit të ardhshëm do të jenë pa afat dhe synojnë largimin e qeverisë.
Skënder Gjinushi kërkoi që të ndërhyjnë ndërkombëtarët duke theksuar se opozita është e vendosur në rivendosjen e votës së lirë.
"Opozita i konsumoi mjetet demokratike, pra debatin parlamentar dhe aty u treguar që ky Parlament është i uzurpuar dhe në shumicë nuk respekton Kushtetutën, as rregulloren e Kuvendit, por është momenti që pas kësaj seance të turpshme, antiligjore, edhe komuniteti ndërkombëtar të mbaj një pozicion të qartë për atë që po ndodhë në Shqipëri, për të kuptuar se kriza është reale, që jemi në krizë politike, që ka të bëj jo vetëm me manipulimin, por që në Shqipëri nuk mund të garantohen zgjedhje të lira", - tha Gjinushi.
Sipas tij, "egjithë përgjegjësia është te PD, te Sali Berisha, te qeveria e krijuar me mashtrimin dhe manipulimin e Ilir Metës dhe pazarit me Sali Berishën dhe këtë populli ndërkombëtar duhet të ndaj shapin nga sheqeri, siç thotë edhe populli, sepse opozita i konsumoi këshillat dhe mjetet e saj demokratike dhe tashmë fjala i mbetet popullit në protestë, për t'i dhënë zgjidhje përfundimtare. Komuniteti ndërkombëtar theksonte se bojkoti është i tepërt, por kur funksionojnë institucionet".
e.r/NOA