Vatikan, 21 Mars - Letra baritore e Papa Benediktit të XVI-të lidhur me abuzimin e të miturve në kishën katolike të Irlandës ka sjellë reagime të ndryshme. Ipeshkvët irlandezë e vlerësuan letrën si shans për një fillim të ri të kishës në vendin e tyre.
Kryetari i konferencës së ipeshkve gjermanë, Robert Zollitsch deklaroi se letra baritore vlen edhe për katolikët në Republikën Federale.
Njëkohësisht Zollitsch hodhi poshtë akuzat për fshehje në lidhje me një rast keqtrajtimi në dioqezën e tij.
"Unë jam ende i pezmatuar për rastet që kanë ndodhur në Oberharmersbach dhe në emër të kryedioqezës unë u kërkoj falje viktimave", - tha Zollitsch i cituar nga radio Dojçe Vele.
Kurse shoqatat e viktimave e akuzojnë Papën se nuk e ka trajtuar thelbin e skandalit të abuzimeve, - domethënë politikën e qëllimshme të kishës që të mbrojë autorët duke rrezikuar fëmijët.
Benedikti e kritikoi kishën e Irlandës për mënyrën si e ka trajtuar skandalin e abuzimeve. Ai gjithashtu kërkoi që fajtorët të përgjigjen edhe para drejtësisë për krimet e tyre. Për rastet në Gjermani Papa nuk përmendi asgjë.