English

Seanca plenare e 18-19 marsit, qëndrimi i plotë i Grupit Parlamentar të PS

Tiranë, 21 Mars NOA - Partoa Socialiste, pak çaste para se të niste votimi i nismave të saj ligjore për hetimin e zgjedhjeve të 28 qershorit 2009, u tërhoq duke kërkuar që të mos hidhet në votim ngritja e komisionit të kërkuar prej kohësh. Kjo nuk u pranua nga mazhoranca që vendosi të votojë ngritjen e komisionit duke i kujtuar PS-së se "kaq me ngulm që e keni kërkuar dhe tani po tërhiqeni, ne jua ngremë dhe aty e keni kur të doni".

Pikërisht mbi këto fakt edhe të gjitha ato çka ndodhën në seancën plenare të 18 dhe 19 marsit 2010, sot u shpall edhe Qëndrimi zyrtar i Grupit Parlamentar Socialist, qëndrim që erdhi pas një takimi 90 minutësh ku ishte i pranishëm dhe kreu i PS, Edi Rama.

Qëndrimin e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste e shprehu deputetja e PS, Vasilika Hysi e cila fillimisht evidentoi indinjatën më të thellë për dhunën tradicionale të ushtruar përsëri nga pushteti në seancën e fundit të Kuvendit.

"Nga kjo seancë maratonë, qytetarët shqiptarë dhe partnerët ndërkombëtarë prisnin me të drejtë dhënien e konsensusit të mazhorancës ndaj kërkesës së vazhdueshme të opozitës për transparencë të plotë dhe hetim shterues të zgjedhjeve të 28 qershorit", - tha Hysi.

Më tej, ajo deklaroi: "Opozita i ofroi qeverisë dhe klasës politike në tërësi, mundësinë historike për të mbyllur përfundimisht kapitullin e zgjedhjeve të manipuluara nga dhuna dhe korrupsioni i pushtetit".

Por fatkeqësisht, - tha Hysi, - seanca kuvendore e inicuar nga opozita për një qëllim të madh kombëtar si çlirimi i zgjedhjeve nga korrupsioni përmes transparencës, u shndërrua në dëshminë më të qartë të kapjes së parlamentit nga fenomeni i Ruzhdies.

"Njësoj si në Ruzhdie, me metoda haptazi ilegjitime, në kundërshtim me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit, u vodh edhe nisma e opozitës, u vodhën firmat e deputetëve të saj dhe u shtrembërua plotësisht vullneti ynë", - deklaroi Hysi. Gjithçka nisi pasi një grup deputetësh të Partisë Socialiste kishin propozuar dy iniciativa ligjore, njëra në formën e një projekt-ligji, dhe tjetra një projekt-vendim për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar. Projektet ishin në përputhje me Kushtetutën, Rregulloren dhe praktikën e Kuvendit të Shqipërisë. Këto projekte i hapnin udhë hetimit të plotë të zgjedhjeve, duke i dhënë njëkohësisht fund krizës së Kuvendit si shprehje e një krize shumë më të thellë të demokracisë, shtetit të së drejtës, ekonomisë.

Duke bërë këtë përmbledhje, Hysi kujtoi edhe se "përpjekjes sonë institucionale për zgjidhjen e krizës, qeveria, pa asnjë argument juridik dhe duke deformuar rëndë Kushtetutën e vetë orientimet e Komisionit të Venecias, iu përgjigj duke penguar me çdo kusht hetimin e plotë të zgjedhjeve, duke kufizuar dhunshëm mundësitë e hetimit të komisionit hetimor dhe përjashtuar mundësinë e hapjes së kutive zgjedhore, megjithëse një komision i ngjashëm parlamentar i kishte hapur ato 4 vite më parë".

Hysi tha se gjatë punimeve të Kuvendit, nga ana e përfaqësuesve socialistë u argumentua ligjshmëria dhe nevoja e hetimit të zgjedhjeve si një domosdoshmëri historike, por argumentet tona u përplasën në murin e një pushteti që diskutonte për çdo gjë, por vetëm për transparencë jo. Argumenteve dhe apelit të grupit parlamentar socialist, pushteti i dyshes Topalli-Berisha iu përgjigj në sallën e Kuvendit me shantazhe dhe dhunë verbale, jashtë çdo norme dhe etike parlamentare.

Duke parë këtë klimë aspak bashkëpunuese për zgjidhjen e krizës, Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste nëpërmjet kryetarit të saj, paraqiti kërkesën si me shkrim edhe me deklarim në seancë, për heqjen dorë nga të dy nismat e opozitës përpara votimit të tyre në parim në seancë plenare, siç e përcakton neni 72 i Rregullores së Kuvendit. Hysi theksoi se e drejta e heqjes dorë nga iniciativa e propozuar është një e drejtë e patjetërsueshme, e garantuar dhe e pavarur nga vullneti i mazhorancës. Spikerja e Kuvendit e pranoi tërheqjen tonë nga iniciativa ligjore, por me një nisëm personale të paligjshme dhe të shprehur pa asnjë sens etik, e hodhi në votim iniciativën për ngritjen e komisionit hetimor duke ngritur praktikisht një komision që ligjërisht është inekzistent. "Ky akt flagrant i dhunimit të rregullores dhe të drejtave të opozitës edhe në sallën e Kuvendit, tregon qartë se jeta demokratike në Shqipëri është thellësisht e rrezikuar deri në instancën e vet më të lartë përfaqësuese Siç është parlamenti. Tirania e kartonëve demonstron qartë se ky pushtet nuk e dëshiron opozitën në Kuvend, por përkundrazi parapëlqen një farsë parlamentare të diktuar nga vullneti i shumicës së dalë prej korruptimit të zgjedhjeve në Ruzhdiet anembanë Shqipërisë", - akuzoi Hysi. Sipas saj, saj, seanca e fundit plenare dëshmoi qartë se dhuna verbale, fizike dhe ajo e kartonëve është lajtmotivi i vetëm i pluralizmit parlamentar që ofron pushteti i grabitur i 28 qershorit, që është kthyer në një kërcënim të lirive e të drejtave në vend.

"Të ndërgjegjshëm se qëndrimi i pushtetit, në mënyrë të dukshme dhe të qëllimshme, ishte kundër pritshmërisë së qytetarëve shqiptarë dhe faktorit ndërkombëtarë për gjetjen e konsensusit dhe zgjidhjen e krizës; Të ndërgjegjshëm se veprimet e pushtetit, që u materializuan me vjedhjen dhe tjetërsimin e nismës së opozitës për hetimin e zgjedhjeve, njësoj si në Ruzhdie, nuk kanë për qëllim transparencën e plotë dhe hetimin shterues të zgjedhjeve të 28 qershorit dhe zhvillimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme në të ardhmen: Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste deklaron se i ashtuquajturi Komision Hetimor i ngritur nga pushteti, jo vetëm deformon në mënyrë thelbësore demokracinë parlamentare dhe shtetin ligjor si parime themelore kushtetuese, por ngjan si dy pika uji me komisionin e votimit në Ruzhdie. Nga një komision i tillë s'mund të presësh asgjë më të mirë sesa ç'doli nga komisioni i Ruzhdies, një veprimtari e paligjshme me synim nëpërkëmbjen e vullnetit opozitar dhe deformimin e plotë të së vërtetës. Por miratimi i këtij të ashtuquajturi Komision Hetimor në mënyrë të njëanshme, hodhi në kosh edhe shansin që ne i dhamë parlamentit për zgjidhjen e krizës politike në frymën e mirëkuptimit të bazuar në Kushtetutën e vendit po edhe në sugjerimet e miqve dhe partnerëve ndërkombëtarë", - ishte thelbi i qëndrimit më shumë sqarues apo informues i opozitës socialiste.

Në këtë pikë ka mbërritur dhe një tjetër kërkesë ndaj ndërkombëtarëve: "Grupi Parlamentar Socialist i bën apel pikërisht miqve e partnerëve ndërkombëtarë për të marrë në konsideratë faktin shumë shqetësues se zgjidhja që u dha prej pushtetit të premten në darkë jo vetëm nuk e zgjidh po e thellon krizën, por edhe bie ndesh thelbësisht me përpjekjen e tyre për një zgjidhje kompromisi bazuar mbi Kushtetutën dhe transparencën. Me Kushtetutën e shkelur dhe transparencën e kufizuar me tiraninë e kartonëve, mesazhi i pushtetit është shumë i qartë, po edhe qëndrimi ynë është po kaq i qartë: Asnjë hap mbrapa në përpjekjen për të shpëtuar zgjedhjet e ardhshme dhe demokracinë në Shqipëri nga korrupsioni që fillon tek kutitë e votimit dhe shtrihet në të gjitha degët e qeverisjes".

Duke përfunduar, Hysi siguroi se "Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste do të mbrojë kauzën e popullit opozitar për transparencë duke qenë bashkë me popullin në përpjekjen për lirinë e votës dhe të drejtën e transparencës".

e.r/NOA

KOMENTE