Elbasan, 21 Mars NOA - Një vajzë e re i ka dhënë fund jetës disa minuta më parë në qytetin e Elbasanit pasi u hodh nga një lartësi e madhe e një pallati dhe pikërisht nga tarraca e bar kafe "Divino".
Viktima është identifikuar paraprakisht nga policia si Alma Karaj, 18 vjeçe, lindur në Gracen dhe banuese në këtë fshat pranë qytetit të Elbasanit, informon korrespondenti i agjencisë së lajmeve NOA.
Ngjarja ka ndodhur në orën 1.30 pas mesditës së sotme, në një pallat 12 katësh në qendër të qytetit Elbasan pranë kinema "Millenium", pallat nga ku edhe u hodh adoleshentja, pikërisht në katin e 12-të të objektit të ndërtuar pak vite më parë.
Policia konfirmoi se vajza 18-vjeçare nuk ishte banore e pallatit ku ndodhi ngjarja. Në fakt, ajo ndodhej bashkë me një djalë që mendohet se ishte i fejuari i saj, në lokalin "Divino" të katit të dymbëdhjetë të pallatit dhe që atje besohet se është hedhur menjëherë pas një tronditjeje të fortë psikologjike që dyshohet të ketë marrë në debat e sipër me partnerin e saj.
Hetimet paraprake ende vazhdojnë, për të sqaruar arsyet që çuan të renë në vendimin e dhimbshëm të vetëflijimit.
a.k/e.r/NOA