Tiranë, 22 Mars NOA - Komisioni hetimor parlamentar i ngritur për hetimin e zgjedhjeve të 28 qershorit 2009 me kërkesë të opozitës, mund të funksionojë dhe në dispozicion të hetimit janë të paktën 100 prokurorë të shtetit.
Këtë pohim ka bërë sot kryeministri Sali Berisha i cili u takua me delegacionin e Eurodeputetëve të Parlamentit Evropian të kryesuar nga Presidenti i Delegacionit për Europën Juglindore z. Eduard Kukan.
Në delegacion merrnin pjesë eurodeputetë nga vende të ndryshme të BE-së, përfshirë dhe raporterja në Parlamentin Evropian për liberalizimin e vizave znj. Tanja Fajon.
Në takim u diskutua gjerësisht mbi situatën në vend të shkaktuar nga bojkoti i institucioneve demokratike nga opozita.
"Qeveria shqiptare është e vendosur për të dhënë të gjithë mbështetjen e nevojshme buxhetore dhe institucionale për 100 prokurorë, të cilët në mënyrë të pavarur dhe të paanshme të hetojnë dhe të realizojnë në mënyrë sa më të shpejtë transparencën", - deklaroi Berisha.
Kryeministri tha se u bëri me dije eurodeputetëve ngritjen e Komisionit Hetimor Parlamentar pas kërkesës së opozitës, duke i garantuar ata për angazhimin e plotë të qeverisë për respektim të plotë të Kushtetutës në punën e tij.
e.r/NOA