English

Cilësia e ujit, Shqipëria i bashkohet apelit botëror

Tiranë, 22 Mars NOA/ Blerina Ahmetaj - Shqipëria i është bashkuar sot apelit botëror "Ujë të pastër për një botë të shëndetshme". Shoqata e Ujësjellës Kanalizime të Shqipërisë në Bashkëpunim me Ujësjellës Kanalizime Tiranë, organizuan një aktivitet sensibilizues në Sheshin Skënderbej.

Gjatë këtij aktiviteti u shpërndanë fletëpalosje për qytetarët me karakter sensibilizues.

Në këtë ditë, përgjegjësia kryesore e qeverive në botë është mbrojtja e burimeve ujore nga ndotja që i kërcënon sot.

Cilësia e burimeve ujore është gjithnjë e më tepër e kërcënuar nga njerëzimi.

Aktiviteti njerëzor gjatë këtyre 50 viteve të fundit është përgjegjës për ndotjen e pa precedent në historinë e njerëzimit te këtyre burimeve ujore.

Ndonëse sasia e burimeve më vendin tonë është e mjaftueshme për nevojat tona, cilësia e tyre mund të jetë një problem për shkak të ndotjes ndër vite që iu është bërë këtyre burimeve.

Ndotja e ujërave sipërfaqësore dhe nëntokësore ka ardhur si pasojë e shkarkimeve në to të ujërave të ndotura urbane, industriale dhe ujërave nga aktiviteti bujqësor.

Është vlerësuar se më shumë se 2.5 miliardë njerëz në të gjithë globin jetojnë pa higjienën e nevojshme. Çdo ditë në rang global ka 2 milionë tonë shkarkime urbane dhe efluentë të tjerë që derdhen në mjedisin ujor.

Problemi është akoma më keq në vendet në zhvillim, ku mbi 90% e ujërave të ndotura urbane dhe 70% e ujërave industriale, të patrajtuara derdhen në ujërat sipërfaqësore.

Shumë nga ndotësit ujore ndikojnë negativisht në cilësinë e ujit, dhe përbëjnë rrezik për shëndetin e njerëzve.

Si rezultat uji i pastër po pakësohet.

Gjithashtu, aftësia e ekosistemeve për të ofruar shërbim është reduktuar në mënyrë drastike, ndërkohë që efektet janë të pakthyeshme.

Si pasojë mjedisi po degradohet gjithnjë e më shumë, nga pakësimi i prodhimtarisë së biomasës, humbja e biodiversitetit dhe cënimi nga faktorët e tjerë.

Është shumë më pak e kushtueshme të mbrosh burimet ujore sesa të përpiqesh ti pastrosh ato mbasi janë ndotur.

Mbrojtja dhe mirëmbajtja e mjediseve ujore siguron qëndrueshmërinë e të gjithë shërbimeve të ekosistemeve, p.sh ujin e pijshëm, peshkimin, argëtimin dhe turizmin.

Për shembull funksionimi i plotë i ligatinave natyrore, largon nitratet dhe substancat toksike nga uji.

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara vendosi që të deklarojë 22 Marsin e çdo viti si Ditën Botërore të Ujit, konform Axhendës 21 të Konferencës së Kombeve të Bashkuara për Mjedisin dhe Zhvillimin.

Në këtë ditë ftohen shtete të ndryshme për të kontribuar në nivel lokal (kombëtar), me qëllim konkretizimin e aktiviteteve në lidhje me informimin publik, inicimin e tryezave të rrumbullakëta, organizimin e seminareve dhe ekspozimeve në lidhje me ruajtjen dhe zhvillimin e burimeve ujore si dhe diskutimi i fazave të implementimit të rekomandimeve që shtrohen në Axhendën 21 në nivel lokal.

b.a/e.r/NOA

KOMENTE