English

Izraeli kundër kritikave të SHBA-ve

Jeruzalem, 22 mars, NOA - Izraeli duket se nuk ka për t'i marrë parasysh kritikat e ndërkombëtarëve lidhur me ndërtimin e vendbanimeve në pjesën lindore të Jeruzalemit.

Një gjë të tillë ka lënë të kuptohet vetë kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu, i cili i ka hedhur poshtë kërkesat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për ndaljen e ndërtimit të këtyre vendbanimeve hebreje.

Netanjahu i bëri këto komente para nisjes për në Shtetet e Bashkuara, ku do të takohet me presidentin Barak Obama dhe me lobin pro-izraelit.

Kryeministrin izraelit, Benjamin Netanjahu, është ftuar personalisht nga Obama për të zhvilluar ditën e martë në Shtëpinë e Bardhë një bisedë për procesin e paqes në Lindjen e Afërt.

Sipas të dhënave izraelite, i dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara, George Mitchell, i dorëzoi në Jeruzalem Netanjahut një letër përkatëse.

Nga ana e tij, edhe sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Mun, dje gjatë qëndrimit të shkurtër në Rripin e Gazës, kërkoi nga Izraeli që ta ndalë bllokadën në këtë territor.

"Bllokada në Rripin bregdetar do të thotë vuajtje për popullsinë civile dhe forcim për ekstremistët", tha Mun.

n.e/NOA

KOMENTE