English

Kukan: Heqja e vizave, jam i impresionuar nga realizimi i kushteve

Tiranë, 22 Mars NOA - "Jemi të impresionuar nga arritjet e vendit tuaj në plotësimin e detyrimeve teknike që lidhen më heqjen e vizave". Kështu tha sot Eduard Kukan, Presidenti i Komisionit për Ballkanin në Parlamentin Europian. Kukan tha se "ajo që pamë dje në Tiranë, mbi instrumentet teknike që lidhen më heqjen e vizave ishte shumë impresionuese për të gjithë".

Edhe eurodeputetja Tanja Fajon tha se "nga muaji dhjetor Shqipëria ka arritje të jashtëzakonshme në plotësimin e kushteve teknike lidhur me liberalizimin".

Në takimin me Kryetaren e Kuvendit, zoti Kukan dhe delegacioni i eurodeputetëve shprehën mbështetjen e plotë të Parlamentit Europian për heqjen e vizave për shqiptarët.

Kryetarja e Kuvendit vlerësoi angazhimin dhe kontributin e vyer të Parlamentit Europian në përkrahje të arritjes sa më të shpejtë të objektivave integruese të Shqipërisë.

Ajo tha se tha se qeveria e parlamenti po punon fort në plotësimin e të gjitha detyrimeve për këtë prioritet kaq të rëndësishëm të Shqipërisë dhe shqiptarëve, të izoluar prej shekujsh.

"Shqipëria dhe shqiptarët, tha ajo, e meritojnë heqjen e vizave pasi, detyrimet teknike janë plotësuar dhe vokacioni proeuropian i shqiptarëve është një promotor zhvillimi.

Asnjë individ nuk mund të pengojë arritjen e kësaj ambicjeje të madhe."

Ajo tha se "Parlamenti gjatë gjithë kësaj peiudhe ka bërë reforma që kanë bërë të mundur që rritja ekonomike të jetë pozitive ndryshe nga kriza që ka kapur globin dhe investimet të jenë në rritje".

Duke u ndalur në situatën politike, Kryetarja e Kuvendit e njohu delegacionin me vendimin e fundit të parlamentit për ngritjen e komisionit për transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit.

"Ky komision tha ajo, i ngritur nga nisma e opozitës, bazohet në dy parimet themelore që Komisioneri për zgjerim Fule theksoi në deklaratën e tij: transparencë e plotë dhe respekt i Kushtetutës.

Si Kryetare e Kuvendit unë i kam ftuar dhe shpresoj që deputetët socialistë të vijnë në komisionin hetimor të zgjedhjeve dhe të bëhen pjesë e transparencës dhe respektimit të Kushtetutës së vendit'.

Kryetarja e Kuvendit dhe zoti Kukan biseduan mbi intensifikimin e bashkëpunimit ndërparlamentar mes Kuvendit të Shqipërisë dhe Parlamentit Europian për përshpejtim të proceseve integruese, në mënyrë që Shqipëria të bëhet sa më shpejt anëtare e Bashkimit Europian.

e.r/NOA

KOMENTE