English

Meta: Shqiptarët janë lodhur me rrëmujë dhe trazira

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm Ilir Meta, tha sot për gazetarët se mazhoranca ka të gjithë vullnetin pozitiv dhe konstruktiv kurse paralajmëroi se "absolutisht që çdo përpjekje për të krijuar shqetësime të paqena, të jeni të sigurt se do ndëshkohet në radhë të parë nga vetë qytetarët shqiptarë, të cilët janë lodhur me rrëmujë dhe trazira, aq më tepër kur bëhet fjalë thjesht për karrierën e një individi, i cili nuk njeh asnjë institucion".

Ju jeni këtu pas një vizite pune në Uashington, ku keni zhvilluar takime me përfaqësues të Departamenteve të ndryshme të Qeverisë Amerikane, në Kongresin Amerikan dhe në institucionet e tjera. Po ashtu keni mbajtur një fjalim në Universitetin Transatlantik të Marrëdhënieve Ndërkombëtare John Hopkins, në Uashington, lidhur me politikën e jashtme të Shqipërisë. Mund të na flisni më shumë mbi axhendën?

Veç këtyre kontakteve unë pata dhe një takim të veçantë me Zv. Sekretarin e Shtetit Steinberg në Departamentin e Shtetit, ku rikonfirmuam dhe një herë marrëdhëniet shumë të ngushta mes dy Qeverive dhe mes dy vendeve tona, aq më tepër tani që Shqipëria është dhe anëtar i NATO-s dhe duke patur parasysh që angazhimet e saj vijnë në rritje, ndaj sfidave me të cilat po ndeshet Aleanca kudo.

Gjithashtu kemi ndarë dhe një herë të njëjtën bindje se, marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe SHBA janë shumë të dobishme dhe të rëndësishme për stabilitetin e rajonit tonë, ku natyrisht politika e jashtme dhe rajonale e Shqipërisë vlerësohet dhe mbështetet në mënyrë të veçantë nga SHBA.

A keni folur ju dhe për argumente të tjera?

Sigurisht që kemi diskutuar dhe për çështje të ndryshme, veçanërisht për sa i përket rëndësisë së bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar, ku kemi vënë theksin në bashkëpunimin në fushën energjisë.

Në lidhje me këtë kam patur një takim të veçantë me të Ngarkuarin Special për Energjinë në Euroazi të Sekretares së Shtetit Klinton, Ambasadorin Morningstar.

Besoj se kjo vizitë pune do të pasohet nga shumë aktivitete të përbashkëta, që do të zhvillohen edhe në Shtetet e Bashkuara, edhe në Shqipëri, ku do të theksohen prioritetet e mëtejshme në bashkëpunimin e gjithanshëm politik, ekonomik dhe tregtar mes dy vendeve tona.

Gjatë kohës që ju ishit për vizitë në SHBA, Parlamenti ka votuar vetëm me votat e mazhorancës dhe pa konsensusin e opozitës, Komisionin hetimor për zgjedhjet, ndërkohë që shefi i OSBE-së në Tiranë Robert Bosch ka deklaruar se ky Komision është tashmë i pavlefshëm. Keni ndonjë koment për këtë Komision dhe për sjelljen e opozitës?

Nuk jam në dijeni të asaj që ka thënë z. Bosch, por unë jam dijeni të të gjithë qëndrimeve tepër konstruktive nga ana e mazhorancës, në dijeni të të cilave besoj se është dhe z. Bosch dhe cili do tjetër, që ka të bëjë, pikërisht, me faktin që mazhoranca ka pranuar prej kohësh që t'i japë shumicën opozitës në një Komision hetimor parlamentar, madje edhe drejtimin e këtij Komisioni.

Mazhoranca ka pranuar që për çështjen e hapjes së kutive të merret mendim nga ana e Gjykatës Kushtetuese dhe për këtë çështje Partia Socialiste t'i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, madje mazhoranca ka pranuar që t'i drejtohet edhe Komisionit të Venecias, dhe sikurse ju e dini, këto nuk janë pranuar nga opozita gjoja e interesuar për hapjen e kutive.

Po kështu, ju jeni në dijeni të iniciativës më të fundit të Kryeministrit Berisha për të mbështetur Prokurorinë, në mënyrë që ajo të ketë kapacitet e duhura njerëzore, pra me fonde, pasi këto gjëra i zgjidh vetë Prokuroria që është e pavarur nga Qeveria, në mënyrë që ajo të ketë një task-force vetëm për hetimin e zgjedhjeve, sipas pretendimeve që ngre, apo mund të ngrejë Partia Socialiste.

Pra është e qartë se nga ana e mazhorancës janë bërë të gjitha lëshimet e duhura dhe janë krijuar të gjitha mundësitë, të cilat kanë të bëjnë me një rol konstruktiv të opozitës për të verifikuar pretendimet e saj.

Mazhoranca e ngriti Komisionin, dhe shumicën e këtij Komisioni e mbajti për vete, nuk ia la opozitës, përveç Kryetarit.

Nuk është aspak e vërtetë pasi mazhoranca e ka bërë të qartë se në momentin që do të paraqiten përfaqësuesit e opozitës, dy anëtarë të mazhorancës do të tërhiqen në mënyrë që shumica t'i kalojë opozitës. Dihet që shumica e Komisioneve hetimore parlamentare i ka takuar mazhorancës. Pra kjo është një çështje e vullnetit politik.

Në fakt, z. Rama ka deklaruar dje përmes deputetes Vasilika Hysi se në prill do të nisin protestat e opozitës. Sa mund të ndikojë fakti që opozita nuk e njeh Komisionin hetimor që kaloi vetëm me votat e mazhorancës në Parlament dhe fakti tjetër që tashmë priten të nisin edhe këto protesta, ndaj procesit të liberalizimit të vizave. Çfarë kosto do të ketë kjo, nëse do të ketë një kosto realisht për Shqipërinë?

Sigurisht që e gjithë kjo politikë destruktive synon të dëmtojë sa më shumë imazhin e vendit, nuk synon të hapë kutitë. Sepse po të ketë vullnet për të hapur kutitë, është bërë e qartë që mund të ndiqet rruga përmes Prokurorisë, si institucion i pavarur, dhe që ka të gjitha përgjegjësitë kushtetuese dhe ligjore për ta bërë këtë gjë.

Në rast se duan që parlamenti të hapë kutitë, duhet t'i kërkojnë Gjykatës Kushtetuese që ta konfirmojë këtë mundësi, madje mund t'ia kërkojnë edhe Komisionit të Venecias.

Në rast se mendojnë se mund të marrin me dhunë pushtetin, sikurse kanë bërë edhe thirrje, kjo është çështje e tyre. Ata kanë të drejtën e tyre të ëndërrojnë, por natyrisht që do të mbajnë edhe përgjegjësitë e tyre. Qeveria do të jetë gjithnjë e hapur, e qetë, do të respektojë ligjin dhe vazhdimisht do t'i ftojë që të marrin shumicën në Komisionin që kërkuan, të marrin edhe drejtimin e tij. Nëse duan të hapin kutitë, t'i drejtohen Gjykatës Kushtetuese, t'i drejtohen Komisionit të Venecias. Nëse duan një hetim më profesional, t'i drejtohen Prokurorisë së Përgjithshme, dhe Qeveria do vendosë fonde që Prokuroria të ketë mundësi për të angazhuar më shumë prokurorë për këtë çështje.

A do të jetë funksional Komisioni gjatë këtyre kohëve, ndërkohë që opozita nuk merr pjesë?

Kjo nuk është çështja më e rëndësishme, unë nuk jam Kryetar i Parlamentit. E rëndësishme për ne është që mazhoranca ka të gjithë vullnetin pozitiv dhe konstruktiv. Absolutisht që çdo përpjekje për të krijuar shqetësime të paqena, të jeni të sigurt se do ndëshkohet në radhë të parë nga vetë qytetarët shqiptarë, të cilët janë lodhur me rrëmuja dhe trazira, aq më tepër kur bëhet fjalë thjesht për karrierën e një individi, i cili nuk njeh asnjë institucion.

Meqë ju sapo jeni kthyer nga SHBA, Ambasada e SHBA ka qenë një nga kritikuesit më të fortë të ligjit të ri të SHISH. Cili është komenti juaj për draftin e fundit që është miratuar së fundmi?

Mendoj se për vetë faktin që ligji aktual është një ligj i vjetër, ndërkohë që ka ndryshime shumë të rëndësishme, që nga bërja e vendit me Kushtetutë, dhe në përgjithësi në sfidat me të cilat ndeshet sot Shqipëria, por me të cilat ndeshet edhe NATO, ato të terrorizmit apo edhe më gjerë, natyrisht që ka nevojë për një rishikim, apo edhe për një përmirësim të tij.

Sigurisht që kjo do të bëhet në konsultim të ngushtë me të gjithë partnerët tanë ndërkombëtarë. Në radhë të parë me Bashkimin Evropian ku duam të anëtarësohemi, dhe me NATO-n ku jemi anëtarë.

A do keni një konsultë me NATO-n para se të kalohet ligji në Parlament, gjë që është kërkuar edhe nëpërmjet një letre nga vetë Aleanca?

Në këtë drejtim, raportet tona me NATO-n janë shumë konstruktive.

Fund

KOMENTE