Athinë, 22 Mars NOA - Kriza greke po shfrytëzohet nga ekonomia gjermane dhe bankat në këtë vend po realizojnë përfitime të mëdha financiare për shkak të problemeve që shfaqen në Greqi.
Këtë e deklaroi sot zëvendëskryeministri grek Teodoros Pangalos në një pohim për mediat.
Pangalos theksoi se "vendet e Evropës Jugore janë duke pësuar dëme nga rënia e euros, ndërsa eksporti gjerman po rritet pikërisht për shkak të kësaj".
"Pas qëndrimit të Gjermanisë qëndron vendimi që të spekulohet me letrat me vlerë të partnerit dhe mikut tuaj, dhe t'u lejohet institucioneve monetare dhe kreditore që të marrin pjesë në këtë lojë, në mënyrë që njerëzit në Gjermani të realizojnë profit", - tha sot Pangalos në një forum për ecurinë e investimeve që po zhvillohet në kryeqytetin grek, Athinë. e.r/NOA