Tiranë, 22 Mars NOA - Partia Socialiste u shpreh sot se Komisioni Hetimor për zgjedhjet e 28 qershorit i kërkuar prej saj, nuk ka asnjë vlerë ndaj e refuzon atë nën arsyetimin se me votimin e nismave ligjore opozitare u shkel ligji.
Arta Dade, deputete e PS doli pak minuta më parë në një konferencë për shtyp ku akuzoi kryeministrin Sali Berisha se ai "nuk u tall vetëm me shqiptarët, por dhe me partnerët tanë ndërkombëtarë
Dade tha se "ditën kur mbarë shqiptarët e partnerët tanë ndërkombëtarë i mbanin sytë nga parlamenti shqiptar me shpresë se mazhoranca qeverisëse do të pranonte më në fund dialogun për zgjidhjen e krizës politike, kryeministri i Ruzhdies na provoi se dialogu e konsensusi janë të huaja për të".
Dade tha se në shkelje flagrante të rregullores, me forcën e kartonit, të një grupi parlamentar të përbërë jo nga përfaqësues të lirë të popullit, por nga puthadorët e Saliut e Jozefinës, kjo mazhorancë vendosi që hetimin e Ruzhdies ta shndërrojë në një Ruzhdie tjetër, këtë herë parlamentare, ku i pandehuri heton vetveten, ku i akuzuari bën hetuesin, prokurorin, e gjykatësin, vendos rregullat e lojës, vendos se çfarë do të hetojë e çfarë jo. Për Daden, ky veprim i Sali Berishës jo vetëm që nuk e zgjidhi krizën, por me guximin për të vjedhur votat e opozitës, aty në parlament, e thelloi atë edhe më tej.
"Ofertat serioze të kompromisit, u hodhën poshtë me arrogancë e papërgjegjshmëri, nga kryeministri e mazhoranca e Ruzhdies cka e zhveshi Kuvendin e Shqipërisë edhe nga ajo fasadë e brishtë legjitimiteti që i kish mbetur, dhe i tregoi botës mbarë fytyrën e tij të vërtetë: të korruptuar, ilegjitime, antidemokratike", - tha Dade. Sipas saj, "të premten Sali Berisha nuk u tall vetëm me shqiptarët, por dhe me partnerët tanë ndërkombëtarë".
"Kërkesës së faktorit ndërkombëtar, vetëm pak orë përpara atij votimi të paprecedent, të shprehur qartë përmes komisionerit Fule për një zgjidhje përmes transparencës e në respekt të Kushtetutës, pushteti i Ruzhdies iu përgjigj me brutalitet duke tjetërsuar e vjedhur nismën e deputetëve socialistë e duke e shndërruar atë në një farsë që mund të jetë çdo gjë perverse hetim. Partia Socialiste e refuzon këtë komision hetimor, si një komision të ngritur me shkelje flagrante të ligjit, dhe si i tillë, ai, jo vetëm që nuk mund të hetojë zgjedhjet e 28 qershorit, po përbën në vetvete objekt hetimi. Dade paralajmëroi se Partia Socialiste është e vendosur në kërkesën për hetimin e zgjedhjeve.
"Ne do të përdorim çdo mjet demokratik përfshirë protestat dhe manifestimet masive për të arritur një të drejtë kushtetuese dhe ligjore, atë të hetimit të plotë të zgjedhjeve në funksion të transparencës dhe shpëtimit të procesit të ardhshëm zgjedhor nga korrupsioni elektoral", - përfundoi Dade.
e.r/NOA