English

SHBA, të mirat që sjell reforma shëndetësore

Dhoma e Përfaqësuesve e Kongresit amerikan ka siguruar një fitore të madhe politike në planin e brendshëm për administratën e presidentit Barak Obama, duke e miratuar reformën shëndetësore, të cilën vetë zoti Obama e pati cilësuar si prioritet

Uashington, 22 Mars - Presidenti Barak Obama ka arritur një fitore të rëndësishme të presidencës së tij me miratimin e projektligjit të reformës shëndetësore nga ana e Dhomës së Përfaqësuesve. Zgjerimi i skemës së sigurimit të kujdesit shëndetësor për dhjetëra milionë amerikanë, që deri më tani ishin jashtë kësaj skeme, ishte një nga premtimet kryesore që Obama i bëri popullit amerikan në fushatën e tij zgjedhore.

Pas votimit historik, Obama duke folur nga Shtëpia e Bardhë, vlerësoi këtë moment kuptimplotë. "Në fund, ajo çfarë kjo ditë përfaqëson, është një tjetër gur i vendosur përfundimisht në themelet e ëndrrës amerikane. Sot, ne iu përgjigjëm thirrjes së historisë së shumë brezave para nesh. Kur ne përballemi me kriza, ne nuk dështojmë në sfidat tona". "Ne nuk i shmangim përgjegjësitë tona, ne i pranojmë ato. Ne nuk i frikësohemi së ardhmes tonë, ne e krijojmë atë. Faleminderit! Zoti ju bekoftë! Dhe, Zoti bekoftë Shtetet e Bashkuara të Amerikës!", tha Obama. Suksesi i projektligjit vjen pas më shumë se një viti të lobimit intensiv në Kongres nga ana e presidentit Obama dhe të Partisë së tij Demokratike. Përkundër pozicionit të paepur të republikanëve dhe demokratëve konservativë, projektligji kaloi me 219 vota kundrejt 212 votave kundër. Tashmë projektligji duhet të rikthehet në Senat për vota të tjera dhe duhet të nënshkruhet për ligj nga Obama, që në javën e ardhshme. Masat në sistemin shëndetësor si dhe disa çështje të kohëve të fundit kanë ndarë politikën e Uashingtonit. Përfaqësuesi republikan, Geof Davis, shprehu hidhërimin e partisë së tij. "Zemra ime ka një pikëllim të madh sonte. Ky votim do ta përcaktojë Amerikën që ne do ta kemi në të ardhmen: barrë taksash masive, kujdes të kufizuar dhe burokraci të lodhshme". "Demokratët po e çorientojnë pikëpamjen e popullit amerikan sot, duke e joshur me nxitim drejt socializmit", tha Davis i cituar nga radio Evropa e Lirë. Diferencat e thella të pikëpamjeve kanë një bazë ideologjike. Amerikanët liberalë mendojnë se kujdesi shëndetësor për të gjithë "është një e drejtë, jo një privilegj". Kryesuesja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nensi Pelosi, e artikuloi këtë princip: "Pas një viti debati dhe dëgjimit të thirrjeve të miliona amerikanëve, ne erdhëm në këtë moment historik". "Sot, ne kemi mundësinë ta finalizojmë punën e madhe të papërfunduar të shoqërisë sonë dhe ta kalojmë reformën e sigurimeve shëndetësore për të gjithë amerikanët. Kjo është e drejtë dhe jo privilegj", tha Pelosi. Në ndryshim, konservatorët dhe republikanët e shohin si një ndërhyrje antiamerikane të "qeverisë së madhe", në atë që ata e konsiderojnë një çështje private për qytetarët, që të vendosin për veten e tyre. Ata thonë se kostoja e llogaritur prej 900 miliardë dollarësh, dhjetëvjeçarin tjetër, do ta fundosë rrezikshmërisht Qeverinë në borxh të thellë. Sipas projektligjit, shumicës së amerikanëve u lejohet të blejnë sigurime dhe të përballen me pasojën nëse refuzojnë. Dispozitat mbështesin subvencione në ndihmë të familjeve me të ardhura të ulëta, që t'i paguajnë sigurimet. Industria e sigurimit privat shëndetësor do të vihet nën rregullin e ri federal. Atyre do t'u ndalohet ta refuzojnë sigurimin për shkak të kushteve paraprake mjekësore dhe të anulimit të procedurave kur një i siguruar sëmuret. Masat gjithashtu u vendosin disa taksa të reja më të pasurve. Shumë nga depozitat e projektligjit nuk do të hyjnë plotësisht në fuqi para 2014-shit dhe demokratët shqetësohen se publiku mund të zhgënjehet gjatë kësaj pritjeje të gjatë. Sigurisht që republikanët janë zotuar se do të vijojnë luftën dhe madje të shfuqizojnë këtë projektligj.

KOMENTE