English

Zjarr i fuqishëm në jug, alarmohen banorët: Na u duk si "mini-Gërdec"

Më shumë foto, te Galeria

Gjirokastër, 22 Mars NOA - Zjarr i fuqishëm shpërtheu sot siç shihni dhe në fotot, në rrugën Gjirokastër-Tepelenë, duke mos shkaktuar për fat të mirë njerëz të lënduar

Gjirokastër, 22 Mars NOA Fotot dhe lajm Update - Një zjarr i fuqishëm ka shpërthyer sot në rrugën nacionale që lidh Gjirokastrën me Tepelenën. Flakët dhe tymi ishin kaq të mëdha sa disa banorë të zonës u shprehën se po i dukej sikur shihnin një "mini-Gërdec" në Jug. Gjithsesi në ngjarje nuk u raportua lëndimi i asnjë personi, informon korrespondenti i agjencisë NOA.

Gjithçka nisi paraditen e sotme rreth orës 09.45, kur në Sallën Operative të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër ka ardhur një telefonatë se në aksin rrugor nacional Gjirokastër Tepelenë në vendin e quajtur Subash, një automjet që transportonte lëndë djegëse për automjete - naftë, ka marrë flakë.

Menjëherë është lajmëruar Reparti Zjarrfikës si dhe forca të shumta policie të Gjirokastrës kanë shkuar në vendngjarje ku ka rezultuar se automjeti tip Benz Bot, me traga TR 63 44 H, me drejtues 37-vjeçarin nga Tirana Dritan Ahi, i shoqërisë "Braka Sh.P.K, Tiranë, është batuar dhe për pasojë ka marrë flakë sikundër dalloni dhe në foto.

Drejtuesi i automjetit ka mundur të dalë nga mjeti pa pësuar dëmtime fizike ndërsa automjeti është përfshirë i gjithi në flake në mes të rrugës.

Forcat e Policisë ka marrë masa duke bllokuar trafikun dhe rrethuar zonën në një perimetër të konsiderueshëm pasi automjeti kishte rrezik shpërthimi, por edhe flakët u shpërndanë në një sipërfaqe të madhe pasi nafta u derdh nga boti.

Dy automjet të repartit Zjarrfikës të Gjirokastrës si dhe më vonë edhe një automjet zjarrfikës i Tepelenës përreth 30 minuta kanë mundur të vënë flakët nën kontroll dhe ta shuajnë plotësisht duke shmangur shpërthimin e automjetit.

Si pasojë e flakëve automjeti është djegur plotësisht po kështu dhe sasia e lëndës djegëse Naftë që ishte në bot. Rreth orës 10.40 minuta lëvizja e automjeteve ka vijuar normalisht.

Policia tha se automjeti lëvizte nga Tirana në drejtim të Gjirokastrës. Grupi hetimor në përfundim të veprimeve ka konstatuar se shkaku i batimit të mjetit dhe më pas përfshirja nga flakët ka qenë një defekt teknik në sistemin e drejtimit.

v.d/e.r/NOA

KOMENTE