English

Beogradi kushtëzon Shkupin për vendkalimet me Kosovën

Beograd, 23 mars, NOA - Në muajin shtator pritet përfundimi i gjitha çështjeve kontestuese administrative dhe teknike dhe të përurohet hapja e vendkalimeve të reja me Kosovën: në anën e kufirit Kumanovë-Gjilan, Tanushë-Debëllde si dhe vendkalimi Llojan-Miratoc me Luginën e Preshevës.

Ministria e Jashtme e Maqedonisë ka informuar se ka marrë kushtëzime nga Beogradi që të hapet vendkalimi Llojan-Miratoc, por të ndërpritet hapja e vendkalimeve të reja me Kosovën.

Eshtë qeveria e Serbisë ajo që po bën presione ndaj ninistrisë së Jashtme në Shkup, për të mos hapur vendkalime të reja me Kosovën. Kjo situatë ka vënë në lojë kushtëzimi edhe pikën e paralajmëruar kufitare që lidh Maqedoninë me Luginën e Preshevës në fshatrat kufitare Llojan-Miratoc.

Nga MPJ konfirmojnë këto kushtëzime, mirëpo kjo bëhet e ditur edhe nga kryetari i komunës kufitare të Likovës, Sadulla Duraku. "Serbia kushtëzon dhe kërkon që do të hapet vendkalimi Llojan-Miratoc, por nëse nuk hapen vendkalimet e tjera siç është ai Bellanoc- Stançiç me Kosovën. Beogradi dëshiron të vendos një kusht të tillë, andaj diçka në këtë drejtim kanë ngecur punët", ka theksuar Duraku, duke shtuar se për këtë është informuar nga sekretari shtetëror i Ministrisë së Jashtme, Abdulkader Mehmeti.

Lidhur me hapjen vendkalimit në pjesën e kufirit me Kosovën, gjegjësisht në zonën Bellanoc-Stançiç, qeveria e Maqedonisë e drejton gishtin edhe kah autoritetet e Kosovës për ngecjet e hapjes së kufirit që lidh Kumanovën dhe Gjilanin.

Zëdhënësi i qeverisë, Shefik Duraku thekson se pala kosovare ka ngecje nga aspekti administrativ.

"Mirë punimet janë kryer nga ana e Kosovës, mirëpo ata akoma kanë ngecje në aspektin administrative dhe ashtu ngecim me procedurat e hapjes së këtij kufiri. Por, ne i kemi kaluar të gjitha procedurat administrative dhe tash pritet vetëm pranimi i propozimit përfundimtar nga ana e komisionit të posaçëm për këtë çështje", ka theksuar për agjencinë e lajmeve INA, Shefik Duraku.

Ai ka paralajmëruar se në shtator mund të pritet nënshkrimi i marrëveshjes së dhe hapja e pikave kufitare. Ai ka pohuar se funksionimi i këtij kufirit është paraparë të fillojë gjatë muajit shtator të këtij viti, kur planifikohet edhe ndërtimi i rrugës, Kumanovë-Bellanoc në anën e Maqedonisë. "Ne jemi të gatshëm për të realizuar këtë si në aspektin teknik, po ashtu edhe nga aspekti administrative, ku tani jemi në fazën e ndryshimit të rrugës, sepse kjo rrugë nga lokale duhet të shndërrohet në rrugë rajonale", ka theksuar zëdhënësi i qeverisë.

Ndërsa edhe për vendkalimin kufitar Llojan-Miratoc paralajmërohet hapja po ashtu në muajin shtator, duke përfshirë sipas planifikimeve qeveritare edhe vendkalimin Tanushë-Debëllde.

Kryetari i komunës së Likovës, Sadulla Duraku thekson për INA se ka intensifikuar aktivitetet rreth hapjes së vendkalimeve të reja dhe se sipas tij, këto janë ndër punët kryesore. "Kam biseduar në qeveri, me ministrin e Pushtetit Lokal, por edhe ambasadorin e ri të Kosovës që sa më shpejt të përfundojmë këtë prioritet për ne si komunë por edhe për banorët përreth zonave kufitare", ka theksuar Duraku, duke kërkuar që sa më shpejt të krijohen kushte për intensifikimin e bashkëpunimit ndërkufitar midis dy vendeve.

Kohë më parë ambasadori i BE-së në Maqedoni, Ervan Fuere kërkoi hapjen e vendkalimeve kufitare dhe krijimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve në zonat kufitare.

Apeli i euro-ambasadorit Fuere pasoi pas eksodit të ikjes së qytetarëve të Likovës dhe Kumanovës drejt vendeve të BE-së për kërkimin e azilit.

Durmishi me axhendë për vendkalimet e reja

Prishtina zyrtare ka kërkuar hapjen e vendkalimeve të reja kufitare me Maqedoninë, edhe atë dy pikat kufitare, në pjesën kufitare Debëllde-Tanushë si dhe Stançiç-Bellanoc, bën të ditur INA. Kjo kërkesë i është dorëzuar Ministrisë së Jashtme të Maqedonisë nga ana e ushtruesit të detyrës së ambasadorit të Kosovës, Skënder Durmishi. Me propozimin për hapjen e pikave të reja të kalimeve kufitare është informuar edhe Qeveria, e cila e ka të njohur problemin e pikave kufitare me Kosovën, mirëpo që deri tani nuk ka ndërmarrë asnjë nismë konkrete. Ambasadori i ri kosovar në Shkup, Skënder Durmishi deri tani nuk ka dhënë hollësi për prioritetet e tij në cilësinë e diplomatit të parë kosovar në Shkup.

NOA-INA

KOMENTE