English

Bilancet e biznesit të vogël, afati i fundit është më 31 mars

Tiranë, 23 Mars NOA/ Rajmonda Lajthia - Problemi themelor që sot po has biznesi i vogël është çështja e plotësimit të vetëdeklarimit të të ardhurave. Ky proces filloi në 9 mars dhe mbyllet në 31 mars, pra pas një jave.

Vetëm kaq kohë ka biznesi i vogël të plotësojë një formular të komplikuar për ta dorëzuar pranë pushteti lokal.

Ndërkohë që është e specifikuar në ligj, që biznesi i vogël duhet të ketë të punësuar part time një ekonomist dhe në fund një ekspert kontabël për të mbyllur bilancin.

Bëhet fjalë për 50 mijë biznese në të gjithë vendin 12 mijë vetëm në Tiranë. Ky shqetësim është ngritur nga komuniteti i biznesit të vogël gjatë një takimi me Belinda Ikonomi, drejtore e Tatim Taksave në Bashkinë e Tiranës. Sipas saj ka një konfuzion të jashtëzakonshëm jo vetëm tek bizneset e vogla por dhe tek administrata tatimore e pushtetit lokal.

Një VKM përcakton që pragu i kufirit të një biznesi të vogël për të hyrë në sistemin e TVSH - së do të jetë në 2010, 5 milionë lekë të reja.

Nga ana tjetër ka një qarkore të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve që specifikon që të gjitha bizneset që kanë dorëzuar në 2008 bilance me xhiro vjetore mbi 5 milionë lekë automatikisht këtë vit do të jenë subjekte të TVSH - së.

Kjo ka shkaktuar konfuzion tek bizneset e vogla, të cilët në të njëjtën kohë edhe duhet të plotësojnë faturat tatimore për taksat në Bashki edhe për administratën tatimore qendrore. "Për shkak të ndryshimit të nivelit të TVSH- së ka patur në fillim të këtij viti, një numër të madh biznesesh që kanë mbyllur aktivitetin dhe kanë rihapur një aktivitet tjetër vetëm për ti shpëtuar pragut të TVSH - së, ç'ka na ka hapur mjaft problem si administratë tatimore lokale. Kjo situatë shkakton kaos për të dy palët, bizneset dhe ne" - u shpreh Belinda Ikonomi duke folur me agjencinë e lajmeve NOA.

Nga ana tjetër biznesi i vogël jeton në një mungesë të plotë informacioni. Një pjesë e konsiderueshme e tyre nuk e dinë se si ta plotësojnë formularin, madje nuk dinë se duhet të plotësojnë një të tillë.

r.l/NOA Shkruajini autores: rajmonda.lajthia@noa.al

KOMENTE