Tiranë, 23 mars, NOA - Eshtë koha për të nxjerrë mësimet nga kriza më e thellë ekonomike që ka njohur bota në 50 vitet e fundit, krizë e cila në fakt mbërriti nga sistemi monetar dhe u përhap në ekonominë reale të vendit.
Kështu është shprehur gjatë fjalës së tij në seminarin "Financa të përgjegjshme", ministri i Financave, Ridvan Bode, i cili ka theksuar rëndësinë e mbikëqyrjes së sistemit financiar për parandalimin e krizave ekonomike.
"Rritja e përgjegjshmërisë së financimit nga bankat e ekonomisë, duhet të shoqërohet me një transparencë të vazhdueshme dhe efektive nga Banka e Shqipërisë, por edhe institucioneve të tjera të ngritura me ligj për monitorimin e tyre", u shpreh Bode.
Sipas tij, mbikqyrja e mirë e bankave, ka qenë në fakt edhe çelësi i suksesit që ekonomia shqiptare të mos përjetojë të njëjtin fat si ekonomitë e tjera.
"Ajo që ndodhi, ka nevojë për mbikqyrje të respektimit të standardeve, duke përbërë mënyrën më të mirë për të parandaluar krizat", tha Bode më pas.
n.e/NOA