English

Cilësia e barnave, ngrihet struktura e re e farmakovigjilencës

Tiranë, 23 mars, NOA - Çdo pacient shqiptar tashmë do të dijë ku të raportojë për problemet që mund t'i shfaqen nga barnat që konsumon për mjekimin e sëmundjeve, nga të cilat është i prekur.

Për herë të parë në Shqipëri do të funksionojë sistemi i ri i farmakovigjilencës, i cili do të sigurojë cilësinë e barnave në tregun tonë farmaceutik.

Sipas drejtorit të qendrës kombëtare të kontrollit të barnave, Besnik Jaka, struktura e re që po ngrihet do të mbledhë informacionet që do të raportojnë, jo vetëm pacientët, por dhe strukturat shëndetësore, mjekët e familjes, të shërbimit spitalor si në sektorin publik dhe atë privat.

"Farmakovigjilencë do të thotë barna më të sigurta në treg, do të thotë që për çdo medikament që do të konsumojë pacienti të dihen efektet anësore, cilësia e tyre dhe efektshmëria në trajtimin mjekësor, njësoj siç e kanë të gjitha vendet e botës", tha Jakaj.

Për funksionimin e farmakovigjilencës në bazë të ligjit, çdo strukturë shëndetësore është i detyruar të raportojë pranë qendrës së kontrollit të barnave për problemet që shfaqin medikamentet tek pacienti.

Kjo e fundit sipas sistemit të ri të farmakovigjilencës raporton pranë ministrisë së shëndetësisë dhe OBSH.

Ministria e shëndetësisë po përgatit shtesat ligjore mbi funksionimin e strukturës së farmakovigjilencës të cilat pritet të diskutohen në komisionin parlamentar të shëndetësisë. Pas miratimit të tyre, për strukturat shëndetësore do të ketë sanksione nëse nuk raportojnë pranë farmakovigjilencës për çdo medikament që hidhet në treg.

b.a/NOA

KOMENTE