English

Financat e përgjegjshme

Financa e përgjegjshme është një koncept që prek dhe duhet të ushtrohet nga të gjithë pjesëmarrësit e tregut financiar. Ajo nënkupton një fenomen përtej një mbikëqyrjeje të kujdesshme, sepse është një domosdoshmëri për të garantuar jo vetëm shëndetin financiar të një ekonomie, por edhe për të garantuar shëndetin e saj makroekonomik

Nga Ardian Fullani*

Guvernator i Bankës së Shqipërisë

Është kënaqësi që të hap punimet e këtij forumi të rëndësishëm me temë "financat e përgjegjshme". Ky koncept po përmendet shpesh në temat e diskutimit dhe në debatet e makrofinancës veçanërisht pas ngjarjeve të vitit 2008. Pjesëmarrja në këtë aktivitet më shtyu që të kërkoj një përkufizim të saktë të këtij termi. Megjithëse ndoshta është e vështirë të gjesh një përkufizim të saktë të këtij koncepti, nën emërtimin ‘financë e përgjegjshme' mund të përmblidhen ato praktika të cilat krijojnë ekuilibra midis interesave të një institucioni financiar dhe palëve të tjera të interesuara. Në fakt kërkimi më bëri të kuptoj se ky term është ndoshta mënyra më e mirë për të përmbledhur në një emërtim të vetëm, përpjekjet e gjithanshme të Bankës së Shqipërisë gjatë 3-4 viteve të fundit në drejtim të mbikëqyrjes bankare dhe financiare, politikën monetare dhe edukimin e publikut.

Financa e përgjegjshme është një koncept që prek dhe duhet të ushtrohet nga të gjithë pjesëmarrësit e tregut financiar. Ajo nënkupton një fenomen përtej një mbikëqyrjeje të kujdesshme, sepse është një domosdoshmëri për të garantuar jo vetëm shëndetin financiar të një ekonomie, por edhe për të garantuar shëndetin e saj makroekonomik.

Kjo filozofi përmbledh në vetvete jo vetëm parimet dhe praktikat më të mira të biznesit por edhe dëshirën dhe objektivin për të ndihmuar shtresat e varfra dhe për t'i nxjerrë ato nga varfëria përmes mundësisë së financimit të lirë dhe kujdesit që garanton suksesin e tyre ekonomik. Në dukje theksi i financave të përgjegjshme fokusohet në garantimin e të drejtave të klientëve të sistemit, por në të vërtetë kërkesat dhe praktikat e financës së përgjegjshme janë në radhë të parë një garanci për shëndetin e institucioneve financiare dhe në këtë mënyrë edhe të të gjithë sistemit financiar.

Në Bankën e Shqipërisë financa e përgjegjshme është zhvilluar në tre drejtime kryesore:

• Mbikëqyrja bankare

• Transparenca dhe llogaridhënia

• Edukimi

Në radhë të parë, financa e përgjegjshme nuk mund të kuptohet si një fenomen dhe përgjegjësi që duhet lënë në dëshirën e pjesëmarrësve të tregut. Ajo duhet të kuptohet jo vetëm si një e drejtë por edhe si një detyrim për të gjithë pjesëmarresit e tregut.

Nëse pranon këtë parim atëherë duhet të bëhesh nxitës dhe promotor dhe ky është edhe pozicioni që Banka e Shqipërisë ka marrë në këtë drejtim.

Nga këndvështrimi i një banke qendrore, financa e përgjegjshme fillon me një mbikqyrje të mirë të sistemit bankar dhe financiar. Kjo përbën një detyrim të bankës qendrore për t'i siguruar publikut të drejtën që institucionet financiare ku ai investon kursimet e tij, të jenë të shëndosha financiarisht dhe të ushtrojnë aktivitetin në bazë të parimeve më të mira të biznesit. Banka e Shqipërisë i ka kushtuar një vëmendje të veçantë stabilitetit financiar nëpërmjet ushtrimit të një mbikëqyrjeje efektive të orientuar drejt rrezikut, ndaj institucioneve që ajo licencon dhe mbikëqyr. Gjithashtu në fokusin e mbikëqyrjes efektive qëndron edhe rëndësia që i jepet nxitjes së konkurrencës dhe mbrojtjes së interesave të klientëve.

Së fundi, por jo më pak e rëndësishme, parimi i financave të përgjegjshme është ushtruar përmes mbikëqyrjes bankare të kujdesshme dhe ruajtjes së stabilitetit financiar, duke harmonizuar politikën monetare dhe atë fiskale. Ky parim është konsideruar si një pjesë integrale e domosdoshme dhe mjaft e rëndësishme në vendimmarrjen e politikës monetare dhe përshtatjen e saj me politikën fiskale.

Në këtë mënyrë Banka e Shqipërisë garanton që politika monetare, jo vetëm që nuk cënon shëndetin financiar të institucioneve bankare, jo bankare dhe individëve, por i mbështet këta aktorë të tregut financiar duke i bërë pjesë të vendimmarrjes.

Më lejoni që të ndalem te procesi i transmetimit të vendimmarrjes në publik. Ky proces është thelbësor për të garantuar ruajtjen e ekuilibrave makrofinanciare të një ekonomie. Në këtë kuadër, Banka e Shqipërisë i është përkushtuar edukimit ekonomiko-financiar të publikut, duke parë të arsyeshme ndërmarrjen e disa nismave konkrete për krijimin e një kulture financiare në shoqërinë shqiptare. Por kjo është një detyrë të cilën banka qendrore nuk mund ta realizojë e vetme; garantimi i këtyre ekuilibrave kërkon bashkëpunimin e sistemit financiar, sektorit privat dhe publikut që së bashku të reagojnë kundrejt kësaj vendimmarrjeje në mënyre eficiente dhe racionale. Ngjarjet e dy viteve të fundit i kane shtyrë shume njerëz të diskutojnë vërtetësinë e teorive të tregjeve eficiente dhe aftësisë së agjentëve ekonomikë për të qenë racionalë. Megjithëse është ende herët (ose duhet pritur) për të bërë një analizë të plotë të shkaqeve të krizës, nuk mund të lë pa sjellë në vëmendje disa elemente thelbësore që dëmtuan aftësinë e individëve e më pas të tregjeve për të qenë eficientë dhe racionalë. Kjo jo për të analizuar krizën por për të kuptuar se çfarë implikimesh mbart kjo për financat e përgjegjshme.

Është e vërtetë që të gjitha palët e interesuara dështuan në vendimmarrje duke bërë zgjedhje të gabuara, jo racionale dhe jo eficiente. Por është gjithashtu fakt se pothuajse të gjithë kredimarrësit nuk kishin informacion të plotë mbi llojet e kredisë që po merrnin apo të instrumenteve financiare që po blinin, ose ishin të paaftë të kuptonin implikimet financiare të angazhimeve të tyre financiare dhe monetare. Ashtu sikurse u shtynë të besonin se çmimet e shtëpive vetëm rriteshin dhe rreziku financiar ishte zhdukur. Fatkeqësisht nuk mund të thuhet e njëjta gjë për bankat që i nxitën njerëzit t'i merrnin këto kredi. A iu shpjeguan ato klientëve se interesat vetëm shtyheshin në kohë por nuk faleshin, se çmimet luhaten e nuk janë të qëndrueshme. A e dhanë ato të gjithë informacionin? Nëse përgjigjja e disa prej këtyre pyetjeve është jo, atëherë agjentët nuk e kishin të gjithë informacionin për të bërë zgjedhje racionale. Dhe kur kjo ndodh atëherë dëmtohet e gjithë ekonomia e bashkë me të edhe sistemi financiar. Nga ky këndvështrim transparenca nuk është vetëm një detyrim ndaj të drejtës se klientit për të ditur të gjithë detajet e transaksionit, por është një detyrim ndaj shëndetit të të gjithë sistemit financiar.

Mungesa e transparencës nuk përçon informacionin dhe rrjedhimisht nuk garanton kushtet që agjentët të jenë racionalë në vendimmarrje prandaj ka nevojë për transparencë dhe përgjegjshmëri.

Për të rritur transparencën e bankave ndaj klientëve të tyre në Shqipëri, Banka Qendrore ka miratuar rregulloret "Për kërkesat minimale të publikimit të informacionit nga bankat dhe degët e bankave të huaja" dhe "Mbi transparencën për produktet dhe shërbimet bankare e financiare".

Dëshiroj të theksoj se mungesa e transparencës nuk shfaqet vetëm në formën e fshehjes se qëllimshme të informacionit apo thjesht të neglizhencës, por edhe përmes zgjedhjes së mjeteve dhe formave të gabuara të komunikimit. Shpërndarja e informacionit me mënyrën më të shpejtë, më të mirë, më eficiente dhe më të kuptueshme është përgjegjësi e të gjithë aktorëve të tregut, si për institucionin ndaj klientit ashtu edhe për klientin ndaj institucionit. Në këtë këndvështrim më vjen keq që të konstatoj se reklamat e financës për zhvillim (mikrokredisë) mund t'i hasësh vetëm në gurët e kilometrazhit apo grafitit amatoresk që llangos bordurat e rrugëve nacionale. Pjesa dërrmuese e këtij informacioni është emri i institucioneve.

Këto institucione duhet të ndërtojnë një strategji të qartë komunikimi me publikun për produktet që ofrojnë, kushtet financiare me të cilat i ofrojnë këto produkte, dhe -veçanërisht e rëndësishme- për objektivat që ato kanë. Transparenca duhet të përfshijë avantazhet konkurruese të tyre ndaj bankave universale në kushtet e financimit dhe në asistencën që ato janë të afta të ofrojnë në lidhje me miradministrimin e portofolit të kredisë. Financë e përgjegjshme do të thotë që edhe donatorët të zgjedhin partnerët më të mirë dhe më të aftë për të bërë këtë aktivitet, dhe të ushtrojnë presionin e tyre që institucionet në të cilat shpërndajnë fondet të garantojnë transparencën dhe informacionin e nevojshëm jo vetëm në memo e raporte, por në treg, atje ku është i dukshëm e transparent, për grupet e targetuara të interesit.

Vendimmarrja eficiente e tregut ka nevojë edhe për transparencën dhe përgjegjshmërinë e bankës qendrore , prandaj Banka e Shqipërisë i ka kushtuar vëmendje të veçantë këtij aspekti. Megjithatë jemi të vetëdijshëm se transparenca e informacionit dhe vendimmarrjes përbën një kusht të nevojshëm por jo të mjaftueshëm për të garantuar një reagim eficient në ekonomi.

Shpesh veçanërisht në ekonomitë tona analfabetizmi financiar bëhet një pengesë e rëndësishme në eficiencën e tregjeve, sepse agjentët ekonomikë mund të mos jenë të aftë të interpretojnë saktësisht informacionet dhe komunikimin e autoriteteve vendimmarrëse dhe mund të reagojnë në mënyrë të paparashikuar kundrejt këtyre vendimeve. Kjo situatë është njësoj sikur t'u japësh njerëzve vegla për të kryer një punë pa u treguar funksionin apo si të veprojnë me to.

Rrjedhimisht nuk ka financë të përgjegjshme pa edukim. Me këtë arsyetim ne e perceptojmë edukimin si një detyrim të institucioneve shtetërore e akademike kundrejt te drejtës së publikut për t'u edukuar. Eficienca e tregjeve dhe racionaliteti i tyre mund të garantohen vetëm nëse e gjithë ekonomia (dhe jo vetëm ekonomistët) gëzon një nivel minimal edukimi ekonomik.

Të jesh i edukuar do të thotë të kuptosh dhe të interpretosh informacionin dhe të reagosh ndaj tij, por kjo nuk nënkupton detyrimisht që të jesh i aftë të zgjidhësh vetë çdo problem ekonomik e financiar. Të jesh i edukuar financiarisht do të thotë të dish se kur është e nevojshme t'i drejtohesh specialistit (ekonomistit) për bërjen e zgjedhjeve më të mira, pasi të jesh i bindur për transparencën dhe përgjegjshmërinë e tij.

Kjo do të thotë përgjegjshmëri financiare në formën e një detyrimi ndaj të drejtës vetjake dhe të shoqërisë për prosperitet ekonomik e financiar afatgjatë. Ky edukim nuk duhet të jetë një aktivitet i zhvilluar vetëm në institucione (universitete apo sistemin financiar) sepse nuk kemi nevojë vetëm për ekonomistë. Edukimi ekonomik e financiar duhet të bëhet për të gjithë publikun në formën e një të mire publike për të gjithë agjentët e ekonomisë në të gjithë format e mundshme. Siç e përmenda edhe më lart, ne jemi përpjekur të edukojmë publikun nëpërmjet disa nismave konkrete të tilla si: publikimi i botimeve edukative, krijimi i programeve të edukimit për nxënësit dhe studentët, apo organizimi i trajnimeve dhe seminareve për gazetarët, mësuesit e lëndës së ekonomisë në shkollat e mesme dhe për punonjësit socialë.

Në këtë aspekt, Banka e Shqipërisë ka qenë gjithmonë aktive jo vetëm në edukimin e publikut, por edhe në kërkim të partnerëve sepse në edukimin financiar ka vend për të gjithë, sidomos për akademinë. Për këtë qëllim së fundi kemi krijuar Institutin e Kërkimeve Bankare si një mundësi bashkëpunimi me fushën e akademisë.

Publikut shqiptar i mungojnë kolonat e përjavshme ekonomike në shtyp, klasat edukuese, leksionet publike, asistenca profesionale për publikun, dhe të tjerë argumente si këto.

Këto janë aktivitete normale të akademisë dhe instituteve me karakter edukues në botën e zhvilluar sepse qëllimi primar i tyre është të krijojnë të mira publike për shoqërinë. Tashmë "social return" apo impakti social është bërë një objektiv i rëndësishëm me një peshë në rritje për institucionet financiare me qëllim fitimin, ndërkohë që në ekonominë tonë, edukimi mbetet shumë i kufizuar vetëm në aktivitetet e ngushta tradicionale të mësimdhënies në klasë. Natyra e analizës dhe komenteve shkon pothuajse gjithmonë drejt kritikës, dhe shumë rrallë për të mos thënë asnjëherë, drejt shpjegimit dhe interpretimit të fenomenit ekonomik. Në këtë këndvështrim, financa e përgjegjshme del përtej kufijve të sistemit financiar dhe shtrihet në të gjithë faktorët që kanë mundësi dhe detyrë ta garantojnë atë në të gjithë format e mundshme.

I ftoj të gjithë faktorët e interesuar të bashkëpunojnë për të garantuar përgjegjshmërinë financiare duke kontribuar në mënyrë aktive sipas rolit të tyre në ekonomi.

(*) Fjala e mbajtur sot, në konferencën "Financa të Përgjegjshme"

KOMENTE