English

Fullani: Më shumë transparencë nga bankat

Tiranë, 23 mars, NOA - Përgjegjshmëria e bankave ndaj klientëve duhet të shtohet edhe më shumë, në mënyrë që ata të mos gabojnë me respektimin e rregullave të caktuara prej tyre.

Kështu është shprehur në seminarin "Financa të përgjegjshme", guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, i cili ka prekur konkretisht raportet klient-bankë dhe reflektimin e tyre në ekonomi.

"Duhet treguar transparencë e plotë për tregun e kredive dhe klientëve t'u thuhet se interesat mund të ndryshojnë, por nuk mund të falen, në mënyrë që të mos ndodhë ajo që ndodhi në SHBA me tregun e kredive", apeloi Fullani.

Më tej, shtoi se pikërisht, "ngjarjet e viteve të fundit i kanë shtyrë shumë njerëz të diskutojnë vërtetësinë e teorive bankare, për të qenë sa më racionalë".

"Por është ende herët për të bërë një analizë mbi faktorët e krizës dhe për të kuptuar rëndësinë e tyre në financat e përgjegjshme", shtoi Fullani lidhur me një fakt të tillë.

Më tej, vuri në dukje se "analfabetizmi financiar përbën pengesë për tregjet tona, pasi ata nuk janë në gjendje të interpretojnë informacionet që mbërrijnë nga institucionet".

"Eshtë njësoj sikur t'u japësh njerëzve veglat, por pa u treguar funksionin që ato kanë.

Të jesh i mbikëqyrur financiarisht, do të thotë që ti të dish kohën e saktë se kur duhet t'i drejtohesh specialistit", argumentoi Fullani mbi këtë çështje.

n.e/NOA

KOMENTE