English

Hitleri, pse e duan aq shumë India dhe Pakistani

Në artikullin e revistës gjermane "Der Spiegel", autori ndalet në admirimin që kanë njerëz të thjeshtë në Pakistan dhe Indi për Hitlerin. Mungesa e informacionit për krimet naziste, izolimi dhe mosnjohja e dallimit thelbësor midis Gjermanisë së sotme demokratike dhe Rajhut të tretë, çojnë në këto keqkuptime që mbajnë gjallë kultin nazist

Nga Hasnain Kazim, Islamabad, Pakistan

Pakistani është e kundërta e Gjermanisë. Malet janë në Veri, deti është në jug, problemet ekonomike janë në Perëndim, ndërsa Lindja ka zhvillim të mirë ekonomik. Për gjermanët që jetojnë në Pakistan, nuk është e vështirë që të përshtaten me këto dallime, por njëri nga kontrastet i kalon kufijtë: ka shumë njerëz, të cilët kanë simpati për Hitlerin.

Para pak kohësh unë isha te berberi, një burrë i vjetër, i cili nuk përdor aparate elektrike në punë. Gjithçka që ka ai, janë një palë gërshërë, një krehër dhe një sprucator me ujë. Ai bëri punë të mirë, po unë nuk isha shumë i kënaqur. I thashë: "Dukem si Hitleri." Ai më pa në pasqyrë, buzëqeshi i kënaqur dhe më tha: "Po, po, shumë bukur." Unë vendosa të mos e sfidoja në bisedë, shkova në shtëpi, ku u përpoqa të ndryshoja modelin strikt të ndarjes së flokëve, që më bëri ai. Isha i lumtur që e shmanga diskutimin e zakonshëm për Hitlerin. Pakistanezët e ngushtojnë temën në këtë çështje, sa herë që flasin me gjermanët. "Edhe ne jemi arianë", të thonë, sepse ka ekzistuar një racë indogjermane e tillë. Veç kësaj, Hitleri ka qenë një gjeni ushtarak, shtojnë ata. Nganjëherë më mirë të mos thuash se je me origjinë gjermane. E ndien veten në situatë të vështirë, sepse njerëzit në këto vende mendojnë se po të bëjnë qejfin duke të shprehur admirimin për liderin nazist. Kam dyshimin se shumica e indianëve dhe pakistanezëve nuk e kanë idenë se çfarë ka bërë ky burrë. Ata e shohin si Fyhrerin e fortë, që u mat me britanikët dhe amerikanët. Në botën islame, jo vetëm në Pakistan, por kudo, që nga Irani në Afrikën e Veriut, ndjenjat antisemite luajnë pa dyshim një rol. Bisedat me vizitorët gjermanë shpejt kalojnë në padrejtësinë nga e cila po vuajnë palestinezët, të cilëve ua kanë grabitur territorin. Njeriu mund të përpiqet t'u bjerë shkurt këtyre bisedave, siç bëri para pak kohësh një i njohur i imi gjerman. Ai i tha një shoferi taksie në Iran se më mirë të pushojë së foluri budallallëqe, sepse ai është njeri me lëkurë të errët dhe njerëz të tillë nuk do të kishin mbijetuar për një kohë të gjatë në Gjermaninë naziste. Shoferi i taksisë e pa i habitur dhe i tha: "Po unë jam racë ariane!" Alternativa është që thjesht të urosh të hapet toka e të të përpijë, si atëherë, kur miqtë tanë gjermanë na vizituan në Londër, kur po rrinim te miqtë tanë pakistanezë. Fare papritur, një xhaxha filloi të flasë me admirim me Hitlerin, fitoret e tij të supozuara ushtarake dhe si e nxori ai Gjermaninë nga mjerimi ekonomik. Miqtë tanë gjermanë mbetën pa gojë e me fytyra të ngurtësuara dhe nuk ditën çfarë të thonë. Më vonë, prindërit e mi u kërkuan falje atyre. Unë nuk e di se nga vjen ky adhurim, jo thjesht për nazistët, por për të gjitha gjërat gjermane. Shumica e njerëzve nuk e kuptojnë se Gjermania e sotme është shumë e ndryshme nga Rajhu i Tretë. Kjo nuk të çudit. Shumë prej tyre nuk kanë shkuar ndonjëherë as në qytetin më të madh ngjitur në vendin e tyre, e nga ta dinë ata si janë gjërat në Gjermani sot? Si rezultat, shumë pakistanezë kalojnë pa problem nga Hitleri te Mercedesi ("Makinë shumë e shkëlqyer, por pak e shtrenjtë"). Pak ditë më parë, një Mercedes i bardhë i viteve '70 udhëtonte para meje në qendër të Islamabadit, brenda në të një familje me shtatë veta. Në ndenjësen e pasme ishte një etiketë me kryq të thyer të zi në një rreth të bardhë. Nën të unë lexova: "Unë i pëlqej nazistët." Nuk janë vetëm myslimanët ata që e ushqejnë këtë kult për nazistët. Pak vite më parë, një biznesmen hapi në Indi një restorant me emrin "Kryqi i Hitlerit", me një portret të Fyhrerit në hyrje. Një indian tjetër shiste çarçafë krevati me simbole kryqe naziste. Çarçafët, këllëfët e jastëkëve ishin pjesë e koleksionit të quajtur "Koleksioni nazist". Botime në gjuhën hindu të "Mein Kampf"-it të Hitlerit mund t'i gjesh edhe në pjesët më të largëta të Indisë. Dhe librat e shkollës në Indi njihen që e brohorasin Hitlerin, sikur te ishte udhëheqës i madh.

"Der Spiegel"

KOMENTE