Tiranë, 23 mars, NOA - "Arma ime ishte pa plumba dhe nuk kisha ndërmend të qëlloja njeri".
Kjo deklaratë e bërë nga 25-vjeçari Romeo Leka, i cili para pak ditësh vodhi një bankë dhe mori një vajzë peng në mes të Tiranës, ka qenë e befasishme për të gjithë pjesëmarrësit në seancën gjyqësore ku u komunikua masa e arrestit ndaj tij.
Ndërkaq, mësohet se avokati i tij ka pohuar në seancë se djaloshi ka probleme mendore, gjë e cila ka rezultuar sipas tij, edhe në proceset dhe ekzaminimet e kryera në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndaj pengmarrësit.
Për këtë arsye, ai kërkoi shtrim të detyruar në spital të 25-vjeçarit që tronditi kryeqytetin me aktin e tij, ndërsa pritet që të kryhet ekzaminimi i gjendjes së tij mendore nga ekspertët, referuar edhe raportit që do mbërrijë nga SHBA ndaj tij.
Ndërkaq, trupi gjykues nga ana e tij i ka komunikuar Romeo Lekës masën e sigurisë "arrest me burg pa afat".
Ndaj tij rëndojnë tre akuza kryesore: ajo e grabitjes së një banke, armëmbajtjes pa leje si edhe pengmarrjes.
Kjo pasi Romeo Leka mori peng 19-vjeçaren, Lori Hatellari dhe grabiti 3.1 milion lekë në një filial banke në qendër të Tiranës, nën kërcënimin e një pistolete, edhe pse ajo vërtet mund të ketë qenë pa plumba, sipas dëshmisë që ai sot ka dhënë para trupit gjykues.
n.e/NOA