English

Pohimi i Bodes: Rreziku mund të vijë nga kriza greke

Tiranë, 23 Mars NOA/ Rajmonda Lajthia - Në kohën kur Greqia është në krizë të thellë me financat publike dhe 25 për qind e tregut bankar në vendin tonë përbëhet me kapital grek, Ministri i Financave Ridvan Bode bën apel për një mbikëqyrje më të rreptë bankare. E nëse ekonomia ia doli relativisht mirë nga efektet e krizës ekonomike globale, ajo që mund të thuhet është se nuk ka garanci që në një të ardhme, efektet e krizës në rajon të mbërrijnë në Shqipëri.

Ndaj ministri Bode i kërkoi sot Bankës së Shqipërisë që të rrisë kontrollin mbi sistemin bankar.

"Edhe pse sistemi ynë bankar përballoi me sukses efektet e krizës, nuk ka garanci që në rast të një precipitimi të situatës financiare në rajon efektet të mbërrijnë në vendin tonë. Ne nuk jemi më një vend i izoluar", - shprehet Bode.

Gjatë një konference për financa të përgjegjshme në Shqipëri ministri u ndal në fjalën e tij edhe në përkeqësimin e bilanceve që disa prej bankave kanë pësuar.

Sipas tij, jo të gjitha portofolet e kredive janë të shëndetshme, disa prej tyre janë përkeqësuar, pasi një sërë biznesesh kanë hasur vështirësi në aktivitetin e tyre ekonomik. Por është e rëndësishme, - tha Bode që të përcaktohet qartë se çfarë kredish nuk mund të kthehen më dhe sa prej tyre duhen ristrukturuar për tu zgjatur në kohë, me qëllim për ti dhënë më shumë hapësirë biznesit.

Ndërsa institucioni më i lartë monetar i është drejtuar bankave të nivelit të dytë duke i kërkuar një transparencë më të madhe si në bilancet e tyre edhe në marrëdhëniet me klientin.

Për guvernatorin Fullani e rëndësishme është që të krijohet një strategji e qartë komunikimi që edhe institucionet e mikrokredive të jenë sa më të transparente me klientët.

r.l/NOA Shkruajini autores: rajmonda.lajthia@noa.al

KOMENTE