English

Sekuestrohen 130 kg drogë, vinte nga Lazarati

Gjirokastër, 23 mars, NOA - Rreth130 kilogramë marijuanë u sekuestrua në orët e para të mëngjesit të sotëm, ndërsa është shpallur në kërkim transportuesi i saj i cili mësohet se ishte nga fshati Lazarat, prej nga ishte nisur edhe sasia e madhe e lëndës narkotike.

Lajmi bëhet me dijeni për agjencinë e Lajmeve NOA nga burimet policore të Gjirokastrës, sipas të cilave droga ishte vendosur në një automjet tip BMV me targa false GJ 68 38 A, që po lëvizte nga fshati Lazarat në drejtim të Gjirokastrës dhe menjëherë ato zhvilluan një operacion me qëllim kapjen e tij.

E ndërsa policia bllokoi rrugën në afërsi të lagjes Kordhocë, drejtuesi i automjetit është kthyer me shpejtësi mbrapsht, për në drejtim të fshatit Lazarat.

Në hyrje të tij, automjeti i ngarkuar me lëndë narkotike është përplasur me murin rrethues të një banese dhe drejtuesi e ka braktisur atë dhe duke përfituar nga errësira ka mundur të largohet në mes banesave të këtij fshati.

Lënda narkotike ndodhej në sediljen e pasme të automjetit, e paketuar në qese me peshë të ndryshme.

Nga ana e policisë, është bërë sekuestrimi i lëndës narkotike dhe i automjetit në cilësinë e provës materiale, ndërsa shpalli në kërkim të riun nga fshati Lazarat i cili drejtonte automjetin, por për arsye hetimi nuk bëhet i ditur identiteti i tij.

n.e/NOA

KOMENTE