English

Sërish oksigjen për Kalanë e Tiranës dhe amfiteatrin e Durrësit

Tiranë, 23 mars, NOA/ Nga Milena Selimi - Kush ka kaluar në rrugën pranë Kinema Milenium-it, doemos që i ka rënë në sy masa e plehrave dhe rruga e prishur pranë Kalasë së Tiranës, e gjithsesi, projekti i paraqitur me shumë bujë në kohën e ministrit Pango, duket se do të marrë jetë sërish.

Pak ditë më parë në mjediset e ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, struktura e Këshillit Kombëtar të Arkeologjisë, miratoi dy projekte, që lidheshin me restaurimin për qëllime muzeale dhe vënien në përdorim si vend shfaqje të Amfiteatrit të Durrësit dhe restaurimin e Kalasë së Tiranës.

Ka qenë Qendra Frashëri, e cila ka paraqitur projektin për to, përmes projektuesit të saj Gjergj Frashëri.

Duhet thënë se deri më tani pos debatit të momentit asgjë nuk i ka shqetësuar më arkitektët dhe urbanistët kryeqytetas për Kalanë në Tiranë dhe ata durrsakë për të ardhmen e ndërtesave publike, që janë mbi Amfiteatër.

Ndërsa në këtë të fundit kanë vijuar ndërtimet pa leje dhe në vitet e fundit, në Tiranë u ndërprenë punimet e rrugës, pranë Kalasë që u fillua me aq bujë dhe që pastaj u kthye në një vend të shkretë.

Për Tiranën

Shpresohet që të kthehen elementët kryesorë të kalasë, në një përafrim me imazhet e vjetra dhe nevoja për ta kthyer në një zonë të vizitueshme në qendër të kryeqytetit. Restaurimi do të fillojë nga brendia e kalasë, ç'ka kërkon largimin e ndërtesave, të cilat nuk paraqesin vlera historike, arkitektonike ose artistike.

Duhet thënë se këto ndërtesa që janë bërë në dekadat e fundit janë magazina, depo, mjedise pune të personelit të policisë, shtëpi në përmasa të vogla, të improvizuara, librari njëdhomëshe në xham, ndërtuar mbi murin e kalasë etj.

Projektuesit shpresojnë, që të gjitha këto ndërtime t'i largojnë deri në themelin e tyre. Objekte interesante brenda kësaj hapësire janë Saraji i Selim Pashë Toptanit, apo Selamllëku, i cili njihet me emrin e dhëndrrit të tij, Servet bej Libohovës dhe është monument kulture.

Saraji prej 32 ambjentesh në stilin oriental dhe i zbukuruar me dekoracione të ndryshme, u ndërtua në oborrin e Kullës së Gjatë, rreth vitit 1833-1840 dhe është një nga të paktat saraje feudalësh, të ruajtura në qytetet e Shqipërisë.

Është restauruar në vitet 80' dhe përdorur me funksione të ndryshme. Pjesë e restaurimit do jenë edhe rrënojat e Kullës së gjatë, të banesës tiranase, e cila mund të ketë qenë pjesë e kullës dhe i përket shek. XVIII, arkadat dhe harqet gjysmë-rrethore, ndërtuar në vitin 1936, për të kufizuar oborrin e banesës së Mbretit Zog I, kinemaja e fëmijëve, etj.

Amfiteatri i Durrësit

Projektuesi Gjergj Frashëri ka thënë në paraqitjen e tij se: gjendja e sotme e pjesëve të ruajtura të amfiteatrit tregon, se për restaurimin dhe vënien e tij në përdorim, nevojiten të aplikohen të gjitha llojet e restaurimit ndërtimor dhe të konservimit arkeologjik.

Në to përfshihen ndërhyrjet masive konsoliduese të strukturave të brendshme të amfiteatrit, strukturave mbuluese të galerive dhe të atyre mbajtëse të ndenjësve të amfiteatrit.

Këtu përfshihen punimet çliruese të karakterit arkeologjiko-arkitektonik që do të kryhen paraprakisht dhe nën ambientet e ndenjëses. Projekti parashikon ndërhyrje restauruese për nevoja të domosdoshme të sigurimit statik të elementëve strukturorë të nën hapësirave të ndenjëses, të cilat paraqesin humbje, ose kanë humbur aftësitë e tyre statike origjinale.

Do të kryhen gjurmime arkitektonike për mbledhjen e të dhënave të formulimit të sipërfaqes së ndenjëses, të shkallëve, të daljeve të spektatorëve, të pusetave të ujërave shkarkues, të mbikalimit arenë-xokol i ndenjëses, etj. Do të largohen mbushjet e gabuara me muraturë "konservimi apo konsolidimi", që janë kryer gjatë dekadave të fundit dhe rikompozimi vizatimor i ndenjëses në gjendjen origjinale dhe do të kryhet konturimi me muraturë i pjesëve të humbura të ndenjëses, të shkallëve, pasazheve të lëvizjes midis blloqeve të ndenjëses, të puseve të shkarkimit të ujit, etj, sipas teknikës origjinale, por të dallueshme prej saj si dorë e restaurimit.

I ndërtuar gjatë çerekut të fundit të shek. I pas Krishtit, ai është një nga dëshmitë më të rralla të antikitetit në vendin tonë. I ndërtuar si domosdoshmëri e kohës, për argëtim, shfaqje e ndeshje gladiatorësh, amfiteatri i Durrësit, shpresohet të kthehet në identitet.

m.s/n.e/NOA

KOMENTE