Bruksel, 23 mars, NOA - Pasi shkaktoi një rebelim të vërtetë nga ana e palës serbe, përfaqësimi i Kosovës si shtet i pavarur në konferencën rajonale të Bërdos, duket se Kosova do të shfaqet sërish si e tillë në samitin e ardhshëm të liderëve të Bashkimit Evropian dhe të Ballkanit.
Një fakt të tillë e ka bërë me dije vetë Miguel Angel Moratinos, ministër i Jashtëm i Spanjës, që aktualisht e kryeson presidencën e radhës së Bashkimit Evropian, duke pohuar se në këtë samit do të marrin pjesë si Kosova ashtu edhe Serbia.
Presidenca spanjolle e BE-së planifikon mbajtjen e një takimi të nivelit të lartë me liderët ballkanik në Sarajevë, në fund të muajit maj ose në fillim të qershorit.
"Mendoj se ne do të kemi sukses që çdokush të marrë pjesë, duke e respektuar çdo ndjeshmëri dhe legalitet ndërkombëtar", tha Moratinos në Bruksel.
Të mos harrojmë se Spanja është një vend që jo vetëm nuk e ka njohur ende pavarësinë e Kosovës, por shfaqet edhe shumë kritike ndaj saj.
n.e/NOA