Tiranë, 23 mars, NOA- Partia Socialiste u ka bërë ftesë gjithë qytetarëve që të marrin pjesë në protesta kundër qeverisë, duke e cilësuar këtë si përgjigjen më të mirë ndaj krizës në të cilën ndodhet vendit. Në emër të selisë rozë, deputetja e PS-së, Olta Xhaçka, u shpreh se të gjitha shtresat e shoqërisë që ndjehen të prekura nga qeverisja e keqe e vendit duhet të bëhen pjesë e protestave popullore.
Deputetja e PS-së, ka theksuar se qytetarët duhet të bëhen pjesë e një sërë protestash të pandalshme, për të rrëzuar këtë qeveri, që sipas saj nuk e ka legjitimitetin për të drejtuar vendin. "Për të gjitha këto arsye dhe për atë mori problemesh që ne të gjithë i përjetojmë në jetën tonë të përditshme, sot, u bëjmë thirrje shqiptarëve që të na bashkohen në një valë të pandalshme protestash kundër kësaj qeverie e cila sot më pak se kurrë, ka legjitimitetin për të na qeverisur", u shpreh Xhaçka.
Ajo është ndalur në politikat sociale, problemet e biznesit, të pensionistëve dhe rritjen e çmimeve duke vlerësuar se të gjitha këto kategori vuajnë si pasojë e keqqeverisjes.
"Sali Berisha na flet për mirëqenie e për politika sociale por sot shqiptarëve u duhet të përballen me një rritje të çmimit të energjisë që i merr çdo familjeje mesatare shqiptare 30 për qind të të ardhurave të tyre të pakta. Prandaj sot është koha që t'i bashkoheni protestës sonë kundër kësaj qeverie. Sali Berisha flet për rritje ekonomike, por sot shqiptarët konsumojnë 18 për qind më pak ushqime si pasojë e rritjes së papërballueshme të çmimit të zarzavateve, frutave e të gjitha produkteve të tjera ushqimore. Prandaj sot është koha për t'iu bashkuar protestës sonë", u shpreh Xhaçka.
Ajo ka theksuar se sot është koha që të gjithë këta njerëz ti bashkohen protestës politike të opozitës.
"Të gjitha këto mashtrime dhe e gjithë kjo paaftësi e papërgjegjshmëri pasojat e të cilës i vuajmë ne sot, vijnë si pasojë e deformimit të vullnetit të shqiptarëve në 28 qershor. Sepse një qeveri që nuk varet nga votat e qytetarëve për pushtetin e saj, nuk ka sesi t'u përgjigjet nevojave, interesave, shqetësimeve dhe aspiratave të tyre. Prandaj sot, më shumë se kurrë është koha për të protestuar kundër kësaj qeverie", është shprehur Xhaçka m.xh/NOA