Torino, 23 Mars NOA - Pas Fulham një humbje tjetër ka ardhur për Juventusin dhe tashmë bëhet fjalë në Kampionatin Italian ku ata u mundën nga Sampdoria dhe për Zakeronin situata e skuadrës së tij bëhet gjithnjë e më e vështirë.
Juventus në këtë sezon po kërkon të marrë objektivin e vetëm të mbetur për të cilin në drejtim të skuadrës është dhe Alberto Zakeroni dhe bëhet fjalë pikërisht për vendin e katërt që do të thotë dhe pjesëmarrje në Ligën e Kampionëve.
"Jam në këtë post për të plotësuar një mision të caktuar dhe në qoftë se nuk marrim vendin e katërt do të thotë që kam dështuar", - këto kanë qenë fjalët e tekniku bardhë e zi i cili është referuar dëshirës së tij dhe të ekipit të cilët kërkojnë pjesëmarrjen në Ligën e Kampionëve vitin e ardhshëm.
"Kam në drejtim një organikë mjaft të mirë lojtarësh dhe në qoftë se ajo do të plotësohet jam i bindur se objektivi ynë do të realizohet", - theksoi Zakeroni.
Trajneri i Juventusit është mjaft optimist për sa i përket vendit të katër dhe mendon se Juventus do të arrijë të jetë në këtë pozicion në fund të sezonit por, gjithashtu ai pret me padurim rikthimi në formën më të mirë të disa prej lojtarëve dhe gjithashtu rikuperimin e disa të tjerëve të cilët momentalisht janë në infermierinë e ekipit.
r.b/NOA