English

Arsimi i lartë, universitetet: Jemi pro hapjes së dyerve për të rinjtë

Tiranë, 24 mars, NOA - Universitetet private dhe publike shprehen pro hapjes së dyerve për të rinjtë vetëm me një kusht që të rritet cilësia e shkollave të mesme. Kryetari i ri i konferencës së rektorëve, Dhori Kule, në një deklaratë tha sot se rektorët e universiteteteve publike dhe private mbështesin politikën e masivizimit të arsimit të lartë dhe njëkohësisht shprehen pro mbështetjes që i duhet dhënë arsimit parauniversitar për të rritur cilësinë e nxënësve për tu dhënë atyre më shumë mundësi të konkurrojnë në universitet.

"Jam këtu para jush për të deklaruar se në situatën aktuale në të cilën ndodhet arsimi i lartë, ne mbështesim politikën e masivizimit,por ajo duhet shoqëruar me reforma në rritjen e cilësisë së arsimit parauniversitar. Gjithashtu universitetet kanë nevojë për më shumë autonomi financiare për të zbatuar standardet që kërkon Karta e Bolonjës", tha rektori i UT, Dhori Kule.

Zgjedhjet e reja për konferencën e rektorëve u kryen një javë më parë dhe pas votimit në 6 universitetet publike dhe 22 universitetet private, dhe Dhori Kule fitoi më shumë vota duke zëvendësuar në postin e kryetarit, Jorgo Kacanin, rektor i universitetit Politeknik.

Zëvendëskryetar i konferencës së rektorëve u zgjodh profesor Adrian Civici, drejtues i një prej universiteteve private në Tiranë.

b.a/NOA

KOMENTE