Bruksel, 24 mars, NOA - Edhe tre vjet pas pranimit në BE Rumania dhe Bullgaria nuk i kanë plotësuar ende standardet evropiane të luftimit të korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Raportet për Bullgarinë dhe Rumaninë duhen lexuar duke patur parasysh vështirësitë që patën të dy vendet kur u pranuan në BE më 1 janar 2007 dhe se pranimi i tyre u bë fillimisht "me kusht".
Për herë të parë në historinë e BE'-së, për Sofjen dhe Bukureshtin u ngritën të ashtuquajturat klauzola mbrojtëse, që parashihnin një periudhë prove për pranimin e plotë në BE.
Pas përfundimit të kësaj kohe, me Bullgarinë dhe Rumaninë u ra dakord për krijimin e një "mekanizmi për bashkëpunimin dhe kontrollin", i cili ndryshe nga klauzolat mbrojtëse nuk parashikonte më sanksione.
Ai është një instrument politik për të ushtruar presion mbi Sofjen dhe Bukureshtin në çështjet e reformës së drejtësisë, luftimit të korrupsionit dhe kriminalitetit të organizuar.
Raporti nuk bën evaluim
Zëdhënësi i Komisionit për Bullgarinë dhe Rumaninë, Mark Gray, i cili prezantoi raportin tregoi për këto mekanizma: "Këto raporte janë aktualizime teknike të raportit të fundit të 22 korrikut 2009. Ato përmbajnë masat e marra që prej korrikut dhe detyrimet e kësaj periudhe kohore. Ato nuk përmbajnë vlerësime të detajuara dhe as gjykim përfundimtar".
Në fakt raportet janë përpiluar në mënyrë shumë teknike, lëvdatat dhe kritikat ekuilibrojnë njëra tjetrën, vlerësimet politike është e kotë që të kërkohen. Qëllimi nuk ka qenë të shihet evaluimi i qeverisë së re bullgare, kryeministrit ose minitrave të veçantë, thotë Gray i pyetur nga gazetarët, por ka qenë prezantimi i një çasti.
"Raporti tregon se Bullgaria ka ndërmarrë nisma të rëndësishme. Kjo tregon për vullnetin reformues dhe vetëdijen se këto reforma janë të nevojshme", thotë Mark Gray për Bullgarinë.
Konkretisht, janë bërë ndryshime të kushtetutës dhe ligjeve për sigurimin e pavarësisë gjyqësore dhe transparencës së drejtësisë. Edhe luftimi i korrupsionit në nivele të larta, në komuna dhe jashtë kufijve, ka qenë një nga pikë-rëndesat e Sofjes, krah luftës që zhvillohet prej disa kohësh kundër krimit të organizuar. Në raport përmendet edhe një rast që në Bullgari ka përfunduar disa herë në titujt kryesorë, aferat korruptive dhe dhënia e posteve të gjykatësve.
Të njëjtat vlerësime bëhen në raport edhe për Rumaninë
Mark Gray thotë: "Rumania nuk ka mundur ta mbajë muajt e fundit tempin e reformave që ka patur në mes të vitit 2009, kritikon Komisioni. Sukseset në reformën juridike kanë qenë të kufizuara, kanë munguar rezultatet konkrete të reformës së drejtësisë. Por, autoritetet kundër korrupsionit në Rumani kanë bërë punë të mirë. Prokuroria ka përforcuar aktivitetet e saj. Por duhet të ketë bashkëpunim më të ngushtë dhe më konstruktiv midis politikës dhe drejtësisë",
Raportet e Komisionit të BE-së për Rumaninë dhe Bullgarinë janë paralajmërime për të dy qeveritë. Si kritikat ndaj Sofjes ashtu edhe ndaj Bukureshtit nuk mund të mbulohen nga shkurtimet e fondeve të BE-së -kjo u theksua në mënyrë të veçantë nga zëdhënësi i Komisionit - ato janë një sinjal i qartë. Një sinjal që duhet parë edhe nga Ballkani perëndimor, ku vendet e tjera presin për t'u pranuar në BE.
DVelle