English

Çertifikata false, bllokohen 2 kontenierë me mish

Durrës, 24 mars, NOA - Dy kontenierë me mish dhe dhjamë gjedhi të ngrirë, janë bllokuar në pikën e kalimit kufitar të Portit të Durrësit, pasi çertifikata që shoqëronte ngarkesën ishte e destinuar për në Rusi.

Lajmi konfirmohet nga burime që kanë inspektuar sasinë në fjalë posaçërisht për agjencinë e Lajmeve NOA, duke sqaruar se "në datën 10 mars 2010, në pikën e kalimit kufitar të Portit të Durrësit, kanë mbërritur dy kontenierë që përmbanin respektivisht mish gjedhi të ngrirë në sasinë 27600 kg dhe dhjam gjedhi të ngrirë në sasinë 28400 kg, të zhdoganuara në doganën e Tiranës".

Bëhet me dijeni se nga verifikimi i çertifikatave veterinare që shoqëronin produktin pranë Shërbimit Veterinar në Paraguaj, rezultoi se ngarkesa e dhjamit të gjedhit ishte lëshuar për mish të ngrirë pa kocka, kurse ngarkesa tjetër me mish ishte destinuar për në Rusi.

Ndërkaq, autoriteti kompetent në Paraguaj konfirmon se firma e veterinerit zyrtar në të dy çertifikatat është false.

Nga ana e tij, Inspektoriati i Sigurisë Ushqimore së Tiranës ushtroi në datën 18.3.2010 kontroll në magazinat frigoriferike të kompanisë dhe konstatoi se dhjami i ardhur nga Paraguaj nuk gjendej në magazinë.

Ndërsa drejtuesit e kompanisë pretendojnë se e gjithë sasia prej 27600 kg është futur në përpunim për prodhim nënproduktesh me origjinë shtazore, kurse sasia prej 26450 kg mish i gjendur në magazine u bllokua.

Thuhet se që nga data 6 mars 2010, në sheshin e kontenierëve në port gjenden tre të tillë me ngarkesë mishi të pashoqëruar me dokumentacionin, i cili garanton sigurinë e produktit (çertifikatë veterinare) si dhe vendin nga janë nisur, dërguesin dhe kush është pritësi në Shqipëri.

"Rastet e lartpërmendura përbejnë një shqetësim shumë të madh për sigurinë ushqimore, pasi janë mbartës të mundësisë së transmetimit të sëmundjeve që rrezikojnë shëndetin e konsumatorit shqiptar si dhe të kontaminimit të mjedisit", pohojnë burime në ministrinë e Bujqësisë lidhur me një fakt të tillë.

n.e/NOA

KOMENTE