Tiranë, 24 mars, NOA - Deklaratave të kryeministrit, Sali Berisha për luftë më të madhe ndaj trafikut të narkotikëve, u është përgjigjur deputeti i PS-së, Asllan Dogjani, i cili ka akuzuar policinë për paaftësi dhe kryeministrin për sjellje të njëjtë me atë kur ishte në opozitë.
"Berisha po vazhdon të sillet si në opozitë për vetë faktin se mjaftohet me evidentimin e problemit pa marrë asnjë masë për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike, nuk zbaton as ligjet që i harton e miraton vetë", u shpreh Dogjani.
Ai ka lënë të kuptohet se forcat e policisë janë selektive në arrestimet e trafikantëve të drogës, duke arrestuar vetëm transportues.
"Policia mjaftohet me goditjen e disa individëve, transportues të kësaj lënde dhe nuk ngurron t'i cilësojë si trafikant të mëdhenj duke lënë pa goditur në fakt organizatorët e vërtetë të kultivimit dhe trafikimit të kësaj lënde", u shpreh Dogjani.
Ndërkohë që, deputeti i PS-së ka hedhur poshtë dhe pretendimin e policisë për ulje të nivelit të trafikimi të drogës. Sipas tij nga viti në vit është rritur numri i sipërfaqeve të mbjella dhe është zgjeruar harta e kultivimit të kësaj bime duke u shtrirë dhe në disa qarqe.
Duke u ndalur dhe në aksionet e policisë, Dogjani, ka deklaruar se janë shtuar rastet kur nuk janë arrestuar trafikantët, por është sekuestruar vetëm malli.
"Rastet e kapjes së drogës shpeshherë pa autorë në aksin Gjirokastër-Kakavijë apo të fshatrave përreth kufirit me Greqinë nuk tregojnë për suksesin e policisë por dështimin dhe paaftësinë e këtij shteti për të parandaluar kultivimin e bimëve narkotike, kontrollin e territorit, goditjen e grupeve kriminale, kultivuesve apo drejtueseve të tij", u shpreh Dogjani.
m.xh/NOA