Tiranë, 24 mars, NOA - Për Parlamentin Evropian, procesi i heqjes së vizave afatshkurtra me Shqipërinë është një proces teknik dhe nuk duhet ngatërruar aspak me procesin politik që është duke përjetuar vendi.
Një fakt të tillë e kanë pohuar tre eurodeputetë në prononcimet e tyre për televizionin Klan, pas një vizite të realizuar në Tiranë, sipas të cilëve duke qenë se Shqipëria duket se përmbush kushtet teknike për liberalizimin e vizave, atëherë procesi duhet të ecë shpejt.
Ata kanë konfirmuar nga ana tjetër se Presidenca spanjolle e Bashkimit Evropian është e angazhuar për ta përshpejtuar procesin në fjalë.
"Jam mbështetëse shumë e fortë e heqjes së vizave për Shqipërinë. Progresi që pashë ishte shumë impresionues, kështu që do t'i rekomandoj grupit tim që të votojë në favor të heqjes së vizave", ka pohuar Marije Cornelissen, eurodeputetet i grupit të Gjelbër.
Ndërsa eurodeputeti Simon Bussutil, i grupit Partia Popullore ka deklaruar se "gjatë vizitës në Tiranë, pamë se ç'është bërë deri tani dhe na bëri shumë përshtypje përgatitja e Shqipërisë për kushtet teknike për procesin e heqjes së vizave".
"Ne jemi të përgatitur për t'i thënë Po heqjes së vizave, por jemi duke pritur vlerësimin përfundimtar të Komisionit Evropian për kriteret teknike. Ne duam ta mbajmë këtë çështje në nivelin teknik. Për një vend që kërkon heqjen e regjimit të vizave, ai duhet të përmbushë kriteret teknike. Ne nuk duhet ta përziejmë këtë me çështjet politike", mësohet të jetë shprehur ndër të tjera ai.
Kurse Tanja Fajon, raportuesja për vizat për Shqipërinë dhe Bosnjën, e grupit socialist në PE, tha se "e kanë vizituar Shqipërinë kohët e fundit dhe kanë mbetur goxha të kënaqur me progresin teknik".
"Unë do të thoja, nëse Shqipëria plotëson kushtet, atëherë s'ka arsye për shtyrje të procesit të heqjes së vizave", ka deklaruar qartazi ajo, duke mos hedhur asnjë mëdyshje për procesin.
Në fund, Fajon ka deklaruar se "përmbushja e kritereve të Udhërrëfyesit për heqjen e vizave është një proces teknik".
"Janë më shumë se 100 kritere teknike, që një vend duhet t'ju përgjigjet për të kualifikuar. Pjesa teknike është më e rëndësishmja dhe unë nuk do të shtoja asnjë kriter politik në këtë udhërrëfyes. Duhet të jetë një proces rreptësisht i ndarë me atë politik", ka sqaruar eurodeputetja e njohur.
n.e/NOA