Tiranë, 24 mars NOA - Nikollaq Neranxi ka kërkuar sot pafajësinë në Gjykatën e Rrethit të Tiranës për veprën penale të "Kontrabandës me mallra të tjera". Nëpërmjet mbrojtësit Neranxi nuk i ka pranuar akuzën e ngritur në ngarkim të tij.
Një seancë më parë prokuroria kërkoi shpalljen fajtor dhe dënimin e tij me 10 milionë lekë gjobë. Gjyqtari Sokol Tona do të japë vendimin e tij përfundimtar më datën 29 mars në orën 10:30.
Sipas hetimeve të Prokurorisë së Tiranës Neranxi akuzohet se i ka shkaktuar shtetit një dëm prej 13.664.916 lekë nga mosdeklarimi dhe zhdoganimi i mallrave.
Nga hetimet ka rezultuar se ish-deputeti akuzohet se nga shkurti i vitit 2001 deri në gusht 2004, ka kaluar pa deklaruar mallra të ndryshëm si kaseta VHS, bateri, albume fotografike, film fotografik, CD, etj.
Prokuroria ka arritur të dokumentojë që këto shkelje janë kryer për 21 raste të mallrave të hyra në territorin shqiptar.
Gjatë hetimeve paraprake, autoritetet doganore greke, me anë të një shkrese, kanë kërkuar asistencën e Drejtorisë së Përgjithshme të Doganës, për një hetim administrativ të nisur në Greqi ndaj shoqërisë greke "SALCOFOT" A.E. Selanik, përfaqësuar nga Salvador Kunio, për periudhën 2001-2004.
e.r/NOA