Bruksel, 24 mars, NOA, Update - Drejtuesit e Grupit të Aleancës Progresive të Socialistëve dhe Demokratëve në Parlamentin Europian, në një deklaratë të përbashkët kanë vlerësuar se kriza politike në vend, po bllokon integrimin e vendit.
Deklarata e eurodeputetëve, e shpërndarë për mediat nga Partia Socialiste, thekson se transparenca e zgjedhjeve dhe hapja e kutive, do të ishin dy nismat me anë të së cilave do të plotësoheshin kërkesat e opozitës.
"Pas kthimit të pjesëtarëve të Partisë Socialiste të Shqipërisë në Kuvendin e Shqipërisë, nuk është dhënë ende nga ana e partive të mazhorancës qeverisëse një përgjigje e kënaqshme për kërkesat e opozitës për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar, që do të zhvillojë një hetim të plotë, duke përfshirë edhe hapjen e kutive te votimit, mbi mënyrën sesi u zhvilluan zgjedhjet parlamentare të 2009. Shqipëria e gjen sërish veten në një krizë të thellë politike, e cila po bllokon seriozisht ambiciet europiane të vendit", thuhet në deklaratën e Grupit të Aleancës Progresit në PE.
Eurdeputetët u bëjnë apel të gjitha forcave politike që të arrijnë transaprencën e plotë të procesit elektoral, duke e cilësuar këtë, si një bazë të qëndrueshme për përmirësime të rëndësishme në mënyrën sesi do të organizohen zgjedhjet në të ardhmen duke bërë që ato të përmbushin standardet ndërkombëtare.
"Theksojmë po ashtu se rruga për zgjidhjen e krizës politike në Shqipëri duhet gjetur urgjentisht dhe se duhen vendosur bazat e një dialogu konstruktiv mes qeverisë dhe opozitës me synimin për të forcuar procesin e integrimit europian të vendit", thuhet në deklaratë. Ndërsa shtohet dhe gatishmëria që drejtues të grupit të majtë në PE të vijnë në Tiranë për të diskutuar me palët.
m.xh/NOA